Transmetuar më 25-09-2018, 12:57

Shqipëria vijon të jetë shteti europian me numrin më të lartë të azilkërkuesve në BE.

Sipas statistikave që ka publikuar nga Eurostat, në tremujorin e dytë të vitit 2018 aplikuan për herë të parë për azil 3930 persona, apo 3% e totalit të azilkërkuesve në Bashkimin Europian. Gjatë gjashtë mujorit të parë të vitit 2018, numri në total i aplikimeve për herë të parë nga shqiptarët për azil llogaritet 8040.

Franca rezulton të jetë vendi me numrin më të lartë të azilkërkuesve edhe për tremujorin e dytë të 2018-s, me 38% të kërkesave, apo rreth 1495 aplikues.

Në vend të dytë për numër të lartë aplikuesish, ndryshe nga tremujorët e kaluar, renditet Greqia, me rreth 20% të kërkesave për azil apo 800 aplikues.

Ndërsa në vend të tretë është Mbretëria e Bashkuar, ku vetëm gjatë tremujorit të dytë kanë aplikuar për azil rreth 500 shqiptarë, apo 13% e totalit.

Gjatë tremujorit të dytë të 2018-s në të gjithë Bashkimin Europian u regjistruan 136,700 azilkërkues për herë të parë. Krahasuar me një tremujor më parë, numri i azilkërkuesve në BE u rrit me 4%. Në T1 të këtij viti aplikuan për azil rreth 131400 azilkërkues.

Numri më i lartë i azilkërkuesve vjen nga Siria, Afganistani dhe Iraku. Ndërkohë që këtë tremujor, numër të lartë aplikuesish për herë të parë ka edhe Venezuela, vend i cili po përjeton një krizë të fortë ekonomike, shkruan ‘monitor’.

Pjesa më e madhe e aplikimeve janë regjistruar në Gjermani, Francë dhe Greqi. Ndërsa Eurostat raporton se janë ende në pritje afërsisht 1 milion aplikime për azil.