Transmetuar më 25-09-2018, 16:09

Në datën 27 shtator do të mbahet mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku priten të miratohen një sërë vendimesh me karakter social në ndihmë të kategorive në nevojë.

Respektivisht do të bëhet shqyrtimi për projektvendimin për dhënien e ndihmës ekonomike për 2599 familje në kryeqytet, si dhe për projektvendimin për miratimin e pagesës për personat me aftësi të kufizuara dhe invalidët e punës.

Ndërkohë, gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës pritet miratimi i kompensimit të çmimit të energjisë elektrike për kategoritë përfituese për periudhën 1-31 gusht 2018.

“Gazeta Shqiptare” zbardh sot përmbledhjen e borderosë së kompensimit të energjisë për ndihmën ekonomike për përfituesit gjatë periudhës së sipërpërmendur.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, individët përfitues të statusit të invalidit, paraplegjik dhe tetraplegjik si dhe të verbër që kanë nevojë për kujdestar do të marrin kompensimin prej 2 mijë lekësh në muaj.

Kompensimet

Ndërkohë, një kompensim prej 1400 lekësh në muaj do e përfitojnë të gjithë ata persona të verbër, si dhe përfituesit e statusit të invalidit që nuk kanë nevojë për kujdestar. Ndërkohë, theksohet se individët përfitues të statusit të invalidit dhe të verbrit, që kanë nevojë për kujdestar do të marrin një kompensim prej 1 mijë lekësh në muaj për faturën e telefonisë fikse.

Kategoritë që përfitojnë kompensim për efekt të heqjes së fashës së konsumit të energjisë elektrike deri në 300 kwh në muaj janë edhe: familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, kryefamiljarët që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe pension invaliditeti të plotë në fshat me anëtarë të papunësuar, kryefamiljarë që përfitojnë pension pleqërie shtetëror, pension pleqërie fshati ose pension social.