Transmetuar më 25-09-2018, 17:18

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar sot nga detyra gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Fatmir Hoxha.

Vendimi u mor sot, ku sipas Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, edhe vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin e Hoxhës ishte i drejtë.

Ky i fundit u shkarkua në 10 maj 2018, por tashmë edhe pas ankimimit të tij, KPA e ka larguar përfundimisht nga sistemi i drejtësisë.

Gjyqtari në fjalë, nuk justifikon blerjen e një apartamenti në Tiranë në vlerën e 140 mijë eurove.

Sipas hetimit të KPK-së, gjyqtari Hoxha, deri në vitin 2011, kishte një pasuri prej 5 milionë lekësh dhe një apartament në Shkodër rreth 65 metra katrorë, ku ishte edhe gjyqtar. Atë vit ai është emëruar anëtar i Gjykatës Kushtetuese, duke u zhvendosur në Tiranë.

Hoxha më pas ka shitur asetet në Shkodër dhe ka lidhur kontratë në shkurt të vitit 2011 me një firmë ndërtimi për blerjen e një apartamenti 112,36 metrash katrorë me një vlerë 140,405 euro.

Sipas avokatit, kostoja e lartë e apartamentit në Tiranë e ka detyruar gjyqtarin që të marrë kredi dhe hua nga persona të afërm. Hoxha ka paguar fillimisht 51 mijë euro kapar te firma për apartamentin dhe ka marrë kredi si i pastrehë në shumën 5 milionë lekëshe.

Ai ka deklaruar se ka marrë hua 28,500 euro te kunati A.G. dhe kredi tjetër 250 mijë lekëshe në një bankë të nivelit të dytë. Hoxha ka shitur apartamentin në Shkodër për 3.4 milionë lekë dhe automjetin e tij në vlerën 1800 euro. Por sipas KPK-së, Hoxha ka 1.7 milionë lekë pasuri me burime të pajustifikuara. /k.k/noa.al/