Transmetuar më 25-09-2018, 18:11

Nuk japin asnjë shpjegim për cilësinë e ujit që shpërndajnë në lagjet e kryeqytetit drejtuesit e këtyre autobotëve.

Alarmi u ngrit nga ekspertët e Autoritetit Shëndetësor Rajonal, se uji që u shpërndahet konsumatorëve nuk është i sigurt, pasi nuk i janë bërë asnjëherë analizat për cilësinë e tij. Drejtuesit e autobotëve refuzojnë të tregojnë ku e mbushin ujin.

Ndërsa konsumatorët thonë se e blejnë për shkak të çmimit tepër të ulët, i cili i detyron të mos pyesin për cilësinë.

“E blejmë se është lirë 20-30 lekë, nuk e dimë ku i mbushin, na thonë në Dajt dhe në Selitë. Ky është defekti jonë, se nuk interesohemi për cilësinë e ujit”.

Në një intervistë për Televizionin Klan, kreu i Autoritetit Shëndetësor Rajonal, Dritan Ulqinaku tha se autobotët kanë vetëm licencë për transport uji. Është pikërisht kjo pikë që ka krijuar edhe amulli tek institucionet, të cilat duhet të ndërhyjnë për të monitoruar apo dhe bllokuar këto autobote.

Vetëm ngritja e një Task Force mes Policisë së Rendit, Policisë Bashkiake, AKU-së, Tatimeve dhe Higjienës sipas Ulqinakut mund të garantojë cilësinë e ujit të shpërndarë në këtë mënyrë.