Transmetuar më 25-09-2018, 19:35
Policia gjatë aksionit

Pas raportimeve për arrestimin e dy prej personave të përfshirë në grabitjen me armë ndodhur në Vlorë gjatë paradites, policia ka dhënë informacion zyrtar.

Sipas uniformave blu, njëri prej personave të shoqëruar është arrestuar si autor i dyshuar i krimit ndërkohë ndaj personit të dytë ende po kryhen verifikime nëse ka lidhje me ngjarjen.

Autorët e ngjarjes, pasi grabitën shoferin dhe pasagjerët e mikrobusit të linjës “Itali-Vlorë”, janë larguar menjëherë me dy automjete. Në tentativë për t’iu shpëtuar  forcave të policisë që ishin vënë në ndjekje të tyre kanë braktisur 2 mjetet tek nënkalimi i “Panajasë” dhe janë larguar në këmbë nëpër kodrat e Panajasë për tu fshehur në pyll.

Pas rreth 30 minutash ndjekje u kap në kodrat e Panajasë njëri prej autorëve të grabitjes, konkretisht shtetasi Armand Kuqi, 29 vjeç, lindur në Mamurras dhe banues në Tiranë.

Ndërkohë Policia vijon ndjekjen për kapjen e dy personave të tjerë të cilët janë larguar me shpejtësi në kodrat përreth duke u futur në pyll ku ende vijon krehja e zonës për kapjen e tyre.

Në afërsi të vendit ku u kap autori i parë është konstatuar edhe një shtetas tjetër i cili është shoqëruar në Polici e po punohet për të parë nëse ka ose jo lidhje me ngjarjen.

Në cilësinë e provës materiale Policia ka bllokuar dhe sekuestruar 2 automjetet dhe 2 armët e zjarrit që dyshohet se janë përdorur nga autorët.

Policia vijon veprimet proceduriale dhe hetimet e mëtejshme në lidhje me zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes. Operacioni vazhdon për kapjen e autorëve të tjerë./a.m./noa.al/