Transmetuar më 25-09-2018, 22:58

“Pa ngrënë dhe pa pirë edhe më shanin shokët, zhuls”, këto janë fjalët e njërit prej  fëmijëve të familjes Shima, e cila jeton mes varfërisë dhe braktisjes totale.

Videon e ka publikuar një nga drejtuesit e emisionit “Stop” Gentian Zenelaj, në të cilin u transmetua rasti i identifikuar nga ‘Fundjavë Ndryshe’.

Ai e shoqëron videon me një mbishkrim:

"Kur bota i thotë zhuls një fëmije ëndrra më e madhe e të cilit është: Të ketë bukë".

Kryefamiljari Ismail Shima është vetëm 39 vjeç, ai jeton në Kashar me bashkëshorten Flutura, e cila është e sëmurë dhe 3 djemtë. Gëzimi 13 vjeç, Arbeni 11 vjeç dhe Ergysi 8 vjeç.

E vetmja e ardhur e tyre janë mbledhja e kanaçeve.

Mes dëshirës për t’u arsimuar dhe skamjes në të cilën jetojnë, për djemtë shkolla është kthyer në një ferr. Sepse sipas tyre të gjithë i përbuzin.

“Në shkollë nuk kemi asnjë shok, sepse nuk na duan dhe nuk na afrojnë fare.

Më kanë shtyrë disa herë dhe unë i kam thënë mos më ngacmoni se jam gjynah.

Kurse mësuesja prapë ma ka shkulur mua veshin, e më rreh mua.

Mësuesja na lë të ulur në bankë vetëm, sepse jemi të varfër dhe nuk jemi si ata.

Unë kam qejf të ulem me shokë, kurse ata nuk pranojnë.

Prandaj nuk duam të shkojmë në shkollë. Kemi turp.”, thotë njëri prej fëmijëve.