Transmetuar më 28-09-2018, 21:30

Një gjykatë në Prishtinë i caktoi të premten masën e paraburgimit prej 30 ditësh deputetit të parlamentit të Kosovës, Shkumbin Demaliaj, nën dyshimet për kërcënime ndaj një prokurori, rasti i dytë gjatë ditëve të fundit.

Një ditë më parë, një gjykatë në Prishtinë i i caktoi masën e paraburgimit me 30 ditë deputetit nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, i cili u ndalua të mërkurën nën dyshimet për kërcënim ndaj prokurorit Afrim Shefkiu, që ka ngritur aktakuzë kundër deputetit Zeka dhe dy personave të tjerë për veprat penale “mashtrim, shmangie nga tatimi dhe pastrim parash”.

Sipas mediave vendase, të premten Gjykata i caktoi paraburgimin deputetit Shkumbin Demaliaj nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nën dyshimet për kërcënimin e ish prokurorit Elez Blakaj, i cili muajin e kaluar dha dorëheqje për shkak të siç kishte thënë kërcënimeve gjatë kohës sa po hetonte çështjen e pensioneve të veteranëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Zoti Demaliaj dhe 11 anëtarë të tjerë të Komisionit qeveritar për për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve të luftës, janë akuzuar më 12 shtator nën dyshimet për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, në rastin e njohur në Kosovë si “veteranët”.

Dy ditë pasi prokuroria e Posaçme e Kosovës, ngriti aktakuzën, në mediat lokale u publikua një listë e atyre që janë cilësuar si “veteranë të rremë”.

Lista nxiti zemërim dhe reagime të ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Akuza ka të bëjë me dyshimet se listat e veteranëve përfitues të pensioneve është fryrë me emra të njerëzve që nuk ishin pjesë e luftës.