Transmetuar më 03-10-2018, 09:57

Nuk gjetën përgjigje thirrjet për lirimin e “nuses-fëmijë” e dënuar për vrasjen e burrit të saj, kur ishte ende e mitur.

Zeinab Sekaanvand, 24-vjeçarja nga Irani, e dënuar me vdekje, u ekzekutua këtë të martë.

Rasti i saj u denoncua nga ‘Amnesty International’ duke thënë, “Jo vetëm Zeinab ishte e mitur në momentin e krimit, por procesi gjyqësor ndaj saj ishte i parregullt. Kishte marrë asistencë ligjore vetëm në fazën finale të procesit, në vitin 2014, kur kishte tërhequr dëshminë dhe pasi agjentët e kishin rrahur”.

Ngjarja daton në vitin 2011, pasi Zeinab u detyrua të martohet me të shoqin në moshën 15-vjeçare. Gjatë martesës ajo u dhunua dhe abuzua, duke vendosur që të bëjë vetë drejtësi. Kur u arrestua në moshën 17-vjeçare pak kohë pas krimit, ajo rrëfeu gjithë abuzimet e pësuara, madje akuzoi edhe vëllanë e të shoqit se e mishte përdhunuar.

Dënimi me vdekje u shty për të, pasi në burg e reja në vitin 2016 ishte rimartuar me një të dënuar dhe kishte mbetur shtatzënë, por e lindi fëmijën të vdekur.

Sipas mjekëve vdekja erdhi për shkak të shokut të pësuar, pasi i ekzekutuan shoqen e qelisë, shkruan noa.al.

Bazuar në ligjin iranian, të miturve iu shtyhet dënimi me vdekje nëse në momentin e krimit nuk ishin në gjendje të kuptonin natyrën e krimit të tyre.

Nga një ekspertizë psikiatrike, rezultoi se Zeinab ishte e prekur nga një formë e rëndë depresioni e shoqëruar me pagjumësi dhe vështirësi për të marrë vendime. /a.y/noa.al