Transmetuar më 04-10-2018, 13:36

Në krye të një delegacioni të përbërë prej më shumë se 140 zyrtarë dhe biznesmenë, Emiri i Katarit Sheikh Temim bin Hamad Al Thani nisi në fillim të tetorit një vizitë të cilësuar si historike në katër vende të Amerikës Latine. Turi i vizitave nisi me Ekuadorin, Perunë dhe Paraguajin, për të përfunduar me vizitën e sotme në Argjentinë.

Emiri i Katarit dhe delegacioni që e shoqëron u prit në mënyrë madhështore në këto vende, duke dëshmuar lidhjet dhe marrëdhëniet e shkëlqyera midis tyre.

Stacioni i parë: Ekuadori

Pas një pritje ceremoniale zyrtare në pallatin presidencial, Presidenti i Ekuadorit Lenin Moreno i akordoi Emirit Temim bin Hamad Al Thani “Urdhrin e Meritës”, që është dekorata më e lartë në vend. Gjithashtu Emiri u nderua edhe nga guvernatori i kryeqytetit ekuadorian Quito Mauricio Rodas me çelësin e qytetit si provë e thellësisë së marrëdhënieve midiss dy vendeve.

Udhëheqësit e të dy vendeve zhvilluan bisedime për forcimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik, veçanërisht në fushat e energjisë, turizmit, infrastrukturës, mbrojtjes së mjedisit, si dhe në fushën e rinisë dhe sporteve.

E ndërkohë që Ekuadori po njeh zhvillime të shpejta ekonomike, të dy palët nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për krijimin e një komiteti ministror për bashkëpunim ekonomik, tregtar dhe teknik, si dhe nënshkrimin e një deklarate të përbashkët qëllimi për bashkëpunim në fushën e bujqësisë. Të dy palët ranë dakord për rritjen e vëllimit të shkëmbimit tregtar mes tyre.

Peru: Horizonte të reja

Në stacionin e dytë të këtij turi, Emiri i Katarit u prit nga Presidenti i Perusë, Martín Alberto Vizcarra në kryeqytetin Lima, ku Emiri u nderua sërish me çelësin e qytetit si një mik nderi i rëndësishëm i Republikës.

Presidenti Vizcarra theksoi thellësinë e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve që kanë lidhur disa marrëveshje bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar që nga viti 2013, krahas marrëveshjeve dhe memorandumeve të mirëkuptimit në fushat e ligjit, arsimit të lartë, kërkimit shkencor, etj.

Të dy palët diskutuan rreth konsolidimit të mëtejshëm të marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike ndërmjet tyre, dhe shqyrtuan disa projekt-marrëveshje që synojnë nxitjen e investimeve mes dy vendeve, si marrëveshja për mbrojtjen dhe promovimin e investimeve të ndërsjella, marrëveshja për shmangien e tatimit të dyfishtë, dhe një memorandum mirëkuptimi për krijimin e një komiteti të përbashkët ministror për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar.

Kjo vizitë u përcoll me interes të veçantë nga shtypi peruan. Gazeta ekonomike “El Comercio” publikoi me këtë rast një artikull të gjatë me titull “Çfarë synon Emiri i një prej vendeve më të pasura në botë prej turit të tij në Peru dhe rajon?”, ku shpalosi dimensionet e vizitës së Emirit të Katarit në rajon pas vizitave të tij të mëparshme në kontinentin aziatik, afrikan dhe atij europian, si përpjekje për të thyer izolimin ekonomik që i kanë imponuar fqinjët arabë me bllokadën e vendosur prej tyre që nga mesi i vitit të kaluar.

Në një intervistën e tij për këtë gazetë, eksperti i çështjeve të Katarit në Universitetin e Uashingtonit Kristian Ulrichsen tha se “Kriza e Gjirit nxorri në dukje fleksibilitetin e katarianëve, pragmatizmin dhe aftësinë e tyre për tu përshtatur me shpejtësi me realitetet e reja nëpërmjet vendosjes së marrëdhënieve dhe lidhjes së marrëveshjeve të mëdha tregtare, si dhe sigurimin e shërbimeve logjistike nga burime alternative, në mënyrë për të parandaluar efektet e veprimeve të ndërmarra nga kundërshtarët e tyre në rajon”.

Nën titullin “Loja gjeopolitike”, gazeta citoi studiuesin David Roberts nga kolegji britanik “King’s College” të thotë se “Gjatë këtij viti, janë vërejtur shenja të qarta të përmirësimit të ndjeshëm ekonomik nga Katari në krahasim me vitin 2017, si rezultat i transaksioneve të tij ndërkombëtare, prej të cilave edhe blerja e 30% të aksioneve të filialit të Exxon Mobil në Argjentinë”.

Roberts shtoi se “Fillimisht, bllokada pati një kosto të lartë financiare për Katarin, por vendi u përball me këtë situatë në formën më të mirë të mundur duke marrë në konsideratë surprizat dhe vështirësitë potenciale, dhe ia doli të realizojë një zhvillim më të madh ekonomik dhe të forcojë infrastrukturën e tij në përgatitje për organizimin e Kupës së Botës 2022”.

Paraguaji: Më shumë investime

Vizita e Emirit të Katarit në Republikën e Paraguajit ishte e para në këtë vend dhe e treta gjatë turit të tij latin, ku u prit nga Presidenti i sapozgjedhur Mario Abdo Benitez (me origjinë arabe) në pallatin presidencial në kryeqytetin Asuncion, ku u nderua me dekoratën e lartë “Mariscal Lopez” për kontributin e tij të veçantë në zhvillimin e marrëdhënieve të ngushta midis Shtetit të Katarit dhe Republikës së Paraguajit.

Liderët e dy vendeve zhvilluan një takim bilateral ku diskutuan rreth forcimit të marrëdhënieve në fusha të ndryshme, i cili u pasua nga një takim në nivel ministrash të të dy vendeve gjatë së cilit u nënshkruan gjashtë marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi në fushat e kulturës, shërbimit diplomatik, transportit ajror ndërkombëtar, arsimit, si dhe angazhimit për të vendosur një linjë ajrore të drejtpërdrejtë midis dy vendeve.

Delegacioni i Katarit shprehu interes për importin e produkteve ushqimore, si dhe për nxitjen e investimeve katariane në Paraguaj, pas aktivizimit të marrëveshjeve të mëparshme për promovimin e investimeve dhe eliminimin taksimit të dyfishtë, të cilat janë nënshkruar nga të dy palët gjatë Shkurtit të kaluar – sipas Agjencisë së Lajmeve të Paraguajit.

Paraguaji konsiderohet një fuqi e rëndësishme ekonomike, pasi është eksportuesi i katërt më i madh në botë i sojës, eksportuesi i gjashtë më i madh i misrit dhe një nga prodhuesit më të mëdhenj të energjisë hidroelektrike në botë.

Argjentina: Miqësi dhe Partneritet

Nën titullin “Emiri i Katarit, miku i Presidentit Mauricio Macri vjen në Argjentinë me 140 biznesmenë për projekte investimi”, gazetari Martin Dinatale i “Infobae.com” publikoi në një artikull ku theksoi rëndësinë e kësaj vizite dhe marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve prodhuese të gazit, si në nivelin zyrtar ashtu edhe në aspektin personal të të dy liderëve që u takuan në Pallatin presidencial Saint Martin.

Vizita e cila fillon sot, të Enjten, dhe me të cilën përmbyllet turi i Emirit të Katarit në Amerikën Latine, synon të ndërtojë një partneritet të fortë dhe marrëdhënie të fuqishme ekonomike midis dy vendeve, krahas ambicieve për investime të mëdha katariane në Argjentinë, veçanërisht në fushën e naftës.

Gjatë takimit, palët do të diskutojnë hapat për të “kapërcyer pengesat që kufizojnë zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike bilaterale, pas vonesës së miratimit të marrëveshjes për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe marrëveshjes për investime të ndërsjella nga Kongresi argjentinas”, citon “Infobae”.