Transmetuar më 04-10-2018, 20:15

Nga Spartak Ngjela

Referendumi në Maqedoni nuk fitoi.

Vuçiçi thërret për forcë, por s’ka para. As Putini nuk ka para. Kurse Vuçiç, pasi e pa që Thaçi u rrëzua në Prishtinë, u nis e shkoi në Moskë. Po ku ka Moska forcë kundër Perëndimit!

Por Thaçi ia ka luajtur lojën Vuçiçit në favor, se shkoi në liqenin e Ujmanit për të ngritur tensionin në Serbi. Se, siç duket, kjo ka të bëjë me dëshirën për konflikt.

Vuçiç na nxorri edhe ushtrinë.

Nxorri dhe ushtrinë, po pse e futi prapë brenda?!!

Një sorrollatje turpi është kjo e presidentit Serb, nga Thaçi të Putini.

Po ç’janë këta injorantë fëminorë! Ende nuk iu mbushet mendja këtyre që janë të mundur në luftë me Amerikën.

Vërtet mendojnë këta që tani në Amerikë nuk ka interes më për Kosovën?

I gënjen Moska. Dhe i pari që ra brenda ishte Hashim Thaçi, se shenjat janë që ky do destabilizimin e Kosovës, ngaqë i druhet akuzës dhe gjykimit special kundër tij.

Të gjithë të korruptuarit po lodhen kot në lidhje me Serbinë – edhe Thaçi në Prishtinë, edhe Sali Berisha në Tiranë, sepse Serbia është nën presionin e plotë gjerman. Kurse Putini nuk ka para. Por paratë në Europë i ka Gjermania, dhe kjo është aleati i dytë kryesor i botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

ll.

Kosovarët patriotikë me tubimin e tyre madhështor kundër Thaçit, e rrëzuan me gjithsejt: edhe Thaçin në Kosovë edhe Vuçiçin në politikën e forcës. Kjo është e vërteta e kësaj kohe. Tubim i madhështor i Kosovës ishte forca më e re shqiptare, që alarmoi të gjithë shqiptarët e shitur dhe është pikërisht kjo forcë shqiptare që e nisi Vuçiçin në Moskë. Është për të qeshur kjo, sepse Kosova është e kosovarëve dhe e askujt tjetër, kurse është hera e parë e historisë të shqiptarëve, që forca e popullit zhvleftësoi deri në hiç krerët shqiptarë të shitur në Beograd.

lll.

Korruosionit shqiptar në Tiranë dhe në Prishtinë i është mbushur mendja që Serbia dhe Rusia do shkatërrojnë botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Në fakt kjo është ambicje shekullore sllavë kundër Arbërisë, por kjo kohë tani po tallet me ta. Arbëria me aleancën amerikano – shqiptare po shkon dhe do të shkojë te kufijtë e saj shekullorë. Autoktonët shqiptarë, që nga dita e dronit në Beograd, janë në avancim drejt kthimit të tyre në historinë reale. Për këtë arsye historike, këtu del një pyetje: përse don të bëjë luftë Serbia?

Kjo në fakt është një kërkesë në ajër, se si politikë nënkupton jo një luftë me shqiptarët, por një luftë me Amerikën. Në një kohë kur gjithçka proshqiptare është bërë në përputhje me rezolutën përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB. Atëherë çfarë kërkon Vuçiç, luftë botërore? Ku po don të shkojë ky naiv që nuk respekton historinë dhe sistemin juridik ndërkombëtar?

Serbia e Milosheviçit e humbi me turp një luftë me Anerikën, dhe u çlirua Kosova, mos kërkon edhe Vuçiçi të humbasë edhe ky një luftë tjetër që të çlirohet edhe Presheva shqiptare, edhe Nishi shqiptar. Por ka edhe më shumë se kaq që duhet të fitojnë shqiptarët në Ballkanin Perëndimor. A e di këtë President i serb Vuçiç?

Ku është parë ndonjëherë që ardhacakët të pushtojnë autoktonët, kur këta i ka çliruar nga pushtimi i hordhive ardhacake, forca me e madhe e botës?!Ky është sekreti i kësaj kohe. Kot lodhen të korruptuarit edhe në Kosovë edhe në Tiranë që presin Moskën. Gjithçka po shkon drejt shqiptares në Ballkanin Perëndimor. Prandaj korrupsioni shqiptar ka humbur, ai duhet të fillojë të bëjë dorëzimet. Kurse Moska dihet që nuk ka forcë për asgjë antiperëndimore, në një kohë kur sot, bota shqiptare në Ballkanin Perëndimor është Perëndim.

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al