Transmetuar më 07-10-2018, 13:54

Momente kaosi para ndeshjes në Kamzë, mes Kamzës dhe Flamurtarit. Rreth një orë para nisjes së takimit, delegati i ndeshjes, vëzhguesi, shefi i rendit nga Policia e Shtetit, si dhe zyrtarë të të dyja klubeve, zhvillojnë një mbledhje rutinë për udhëzimet e fundit përpara nisjes së ndeshjes.

Por, këtë herë në stadiumin e Kamzës, siç raporton Supersport, nuk ndodhet shefi i rendit të Policisë, dhe delegati i takimit, Besnik Çela, shprehet se nuk do ta nisë këtë takim pa u zhvilluar mbledhja, edhe në prani të shefit të rendit, shkruan “Panorama”.

Siç raportohet, ata kanë komunikuar nëpërmjet telefonit, dhe shefi i rendit nuk ka pranuar të vijë e të jetë pjesë në mbledhje, në kundërshtim me rregulloren që e përcakton qartë se ai duhet të jetë pjesë e mbledhjes.

Shefi i rendit raportohet të ketë thënë, se nëse ka incidente, të telefojnë 112.

Ende nuk dihet se si do të veprojë delegati i takimit, për këtë rast.