Transmetuar më 10-10-2018, 19:49

Publicisti Veton Surroi, tha të mërkurën se përfundimi i konfliktit me Serbinë është thelbësor për Kosovën dhe duhet të shërbejë si motiv themelor për ndryshimin e qasjes ndaj dialogut të saj me Serbinë në Bruksel.

Gjatë një debati të organizuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur “Forum 2015” ku temë kryesore ishin negociatat Kosovë-Serbi, zoti Surroi tha se është koha që të ndryshohet qasja ndaj këtyre negociatave.

“Aderimi në NATO, anëtarësimi në Bashkimin Evropian, anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara janë procese shumë të nevojshme dhe domosdoshme për Kosovën e ardhmërisë, por ajo çka nevojitet tash është që të përfundojë konflikti mes Kosovës dhe Serbisë dhe ekziston një nevojë e jashtëzakonshme që Kosova ta bëjë këtë. Jo vetëm sepse kjo i hap rrugë pastaj edhe këtyre proceseve integrative por sepse i kthehet vetvetes”, tha ai.

Zoti Surroi, theksoi qëndrimin kundër mundësisë që ideja për korrigjim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë të hidhet në tryezën e bisedimeve.

“Tërësia, sovraniteti, identiteti, balanca identitare e Kosovës shumë etnike, shumë kulturore, dhe aspirata që të jemi vend anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian nuk mund të negociohen apo të vihen në tryezën e bisedimeve. Rrjedhimisht, duhet të gjejmë kompromis mes kësaj që jemi ne sot si Kosovë dhe kësaj që është Serbia sot”,tha ai.

Marrëveshja përfundimtare, ligjërisht e detyrueshme në mes Kosovës dhe Serbisë, sipas zotit Surroi duhet të jetë një marrëveshje e paqes e cila nuk lë hapësirë për probleme në të ardhmen në mes dy shteteve.

Publicisti Surroi tha se arritja e një marrëveshjeje të tillë kërkon unitet politik në Kosovë ngaqë sipas tij, mos prezantimi i një platforme të përbashkët, e cila madje mund edhe të mos jete publike por në mirëbesim, e vë Kosovën në një qorrsokak.

Në përpjekje për të arritur këtë, nesër në Prishtinë pritet të mblidhen përfaqësuesit e partive në pushtet dhe atyre në opozitë, me ftesë të kryetarit të parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli.

Javën e kaluar udhëheqësit e partive politike në pushtet hartuan një projekt-rezolutë për siç thuhet, përmbylljen e bisedimeve në mes të Kosovës e Serbisë, në të cilën theksohet pos tjerash se kufijtë e Kosovës saj janë të pacenueshëm dhe të panegociueshëm”.

Idetë për prekjen e kufijve të cilat nxitën ndarje të thella në skenën politike në Kosovë, nxitën reagime edhe në skenën ndërkombëtare. Derisa një pjesë thekson se do të ishte e pranueshme çdo marrëveshje ndërmjet palëve edhe nëse preken kufijtë, një pjesë e vendeve të Bashkimit Evropian, posaçërisht Gjermania dhe Britania e kundërshtojnë ndryshimin e kufijve nga droja për pasojat në pjesën tjetër të rajonit të Ballkanit./VOA