Transmetuar më 11-10-2018, 11:09

(NOA) – Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Erjon Braçe në interpelancën e thirrur sot në Kuvend, me ministrin e Ekonomisë, Arben Ahmetaj, hodhi dyshime të forta për ligjshmërinë fiskale në Federatën Shqiptare të Futbollit.

Për kreun e FSHF, Armando Duka, z.Braçe tha se ka imunitet fiskal.

Braçe deklaroi se askush nuk ka autoritet për përjashtimin nga taksat, duke ilustruar me emra personazhe të njohur të futbollit të dënuar për evazion fiskal.

“Ronaldo pagoi 18.8 milionë euro gjobë gjatë periudhës që luante në Spanjë, po ashtu edhe Murinjo është dënuar me një vit burg dhe detyrimin për të paguar 1.78 milionë paund. Por edhe Messi është dënuar me 21 muaj dhe detyrimin për të paguar 5 milionë euro për evazion, Neymar, etj.,” – u shpreh deputeti socialist.

Në vijim Braçe tha se Federata Shqiptare e Futbollit është një nga institucionet më të rëndësishme, ndaj duhet të ishte institucion që reflekton ligjshmëri fiskale.

“Që nga shkurti kam kërkuar informacione, por me thënë të drejtën nuk marr një përgjigje të saktë për përputhshmërinë me ligjin. Pres një përgjigje nga Ahmetaj për këtë fakt”, – deklaroi Braçe.

Në përgjigje ndaj tij, Ahmetaj anashkaloi kërkesën duke folur për argument pa lidhje me denoncimin e Braçes. Ministri tha se FSHF ka qenë dikur një institucion pa zë dhe se sot është në fokus pasi vëmendja ndaj sportit është rritur ndjeshëm.

“Ka një problem serioz me klubet, po u nxjerr tre klube, që kanë nevojë për formalizim; Skënderbeu, një klub dinjitoz dhe çfarë ndodh. Kristi Vangjeli paguhet 100 mijë lekë të reja në muaj, ndërsa ekonomistja merr më shumë merr 130 mijë lekë në muaj. Me këto listëpagesa, këta futbollistë nuk kanë pasur mundësi të hanë, jo për të luajtur. Te Partizani, kemi Alveshin ky merr 130 mijë lekë në muaj, Alban Hoxha merr 100 mijë lekë. Dua të them që formalizimi në futboll është emergjencë. Me ligjin e ri të sportit jam i bindur që situata do të avancojë”, – tha Ahmetaj.

Braçe u përpoq të shkojë më tej me kërkesën e tij për transparencë nga FSHF. Ai tha se që në shkurt, ka kërkuar te Financat informacion për tatimin në burim mbi honoraret dhe bonueset që paguhen nga FSHF në tetë vitet e fundit, por nuk ka marrë përgjigje.

“Ministri iu referua të dhënave për pagat e personelit. Çfarë është zëri paga jashtë Federatës? Pasi vlera është tre herë më e madhe se vlera e pagave të paguara për personelin. Në asnjë rast nuk do ta mbyll gojën para institucioneve që kanë fituar imunitet fiskal, qofshin nderi apo llumi i kombit, para ligjit të gjithë të barabartë, duhet të paguajnë tatime dhe taksa”, tha ndër të tjera Erion Braçe.

Kërkesa e Braçes nuk është e para që bëhet për të kontrolluar financat e FSHF, por deri më sot nuk ia ka dalë çuditërisht asnjë qeveritar.

Kur Ylli Pango ishte ministër për Kulturën dhe Sportet, firmosi një urdhër kontrolli financiar të FSHF.

Edhe atëherë ishte president, Armando Duka dhe e pengoi këtë kontroll. Madje u ankua në FIFA dhe kjo e fundit e mbështeti fort duke urdhëruar ndërprerjen pa afat të pjesëmarrjes së Shqipërisë në ndeshjet ndërkombëtare.

Pas disa ditësh, qeveria e kryeministrit Sali Berisha, u tërhoq.

Shtrohet pyetja: Po qeveria e Edi Ramës a do ta kontrollojë ndonjëherë FSHF?

Le të presim… /a.y/noa.al