Transmetuar më 12-10-2018, 14:42

Astrit Hani, është i mbijetuari i vetëm i masakrës me tre të vrarë në Mat, pas një konflikti në fshatin Shëlli. Ai ka treguar se si ka ndodhur ngjarja, ku 5q-vjeçari Kujtim Koxha qëlloi me breshëri automatiku drejt tyre.

Teksa është marrë në pyetje në spitalin e Burrelit ku ndodhet i shtruar, për shkak se ka marrë dy plumba në këmbën e djathtë, ai ka treguar se vetëm dy orë para krimit, Koxha kishte pirë një gotë raki me Hamit Buçin, njërin nga viktimat.

Po ashtu ai tregon se babai i Mentor Hoxhës, një tjetër viktimë, i kishte lënë porosi pronarit të lokalit që ta qeraste Koxhën prej tij, me një tjetër gotë.

“Ishim të gjithë duke punuar për rrugën, isha ulur poshtë një prej mjeteve të bashkisë që drejtoja dhe po e shihja për një defekt. Aty pashë Kujtimin që po debatonte dhe u thoshte, ‘Jo unë, po ju’ dhe ‘Do ta shihni për pak se kush jam unë”, ka thënë Hani.

Më tej ai ka treguar se pas afro 20 minutash Koxha është rikthyer i armatosur në derën e lokalit dhe ka hapur zjarr, ku të parin ka qëlluar Mentor Hoxhën.

Ai tregon se vëllai i pronarit i cili ndodhej në banak, nxitoi që ti kapte duart dhe ngriti armën lart, pasi në të kundërt thotë se viktimat do kishin qenë më të shumta.

Po ashtu rezulton se Kujtim Koxha ishte person problematik dhe se pak ditë më parë ishte plagosur me thikë nga i vëllai.

Krimi ndodhi mesditën e kësaj të enjteje në fshatin Shëlli të Matit, dhe gjithçka duket se ka nisur për një shpullë.

Punonjësit e bashkisë së Matit, ishin duke punuar për shtrimin e rrugës së fshatit, kur Kujtim Koxha, u konfliktua me ta.

Rezulton se gjithçka ka nisur rreth orës 12.30, kur Koxha ka qenë në lokalin e fshatit dhe aty kanë ardhur punonjësit e bashkisë për të ngrënë drekë.

Në një moment ai është drejtuar drejt tyre dhe më konkretisht drejt Erzen Aliaj, duke i kërkuar llogari se pse nuk e shtrojnë rrugën deri afër shtëpisë së tij, por shtrojnë vetëm një pjesë.

Pas debateve ka shkuar në banesë, ku ka marrë një automatik, dhe ka shkrepur armën me breshëri, drejt punonjësve të bashkisë.

Më tej ai u fsheh në pyllin e fshatit Burgajet, ku pas afro një ore u vu në prangat e policisë, ku 40 efektivë zbritën në terren.

Nga të shtënat gjeti vdekjen e menjëhershme 36-vjeçari Mentor Hoxha, shofer fadrome me banim në fshatin Burgajet, dhe u plagosën rëndë punonjësi tjetër Erzen Aliaj 49 vjeç, banues në Burrel dhe Hamit Buçi 43 vjeç shofer kamioni, banor i fshatit Shëlli, të cilët gjetën vdekjen pak më vonë në spital.

Sakaq i plagosur rëndë vijon të jetë në spital, 40-vjeçari Astrit Hani, banor i fshatit Burgajet. /a.y/noa.al

Tre të vrarë për një shpullë, si nisi konflikti që përfundoi me masakër në Mat

Masakra me 3 të vrarë në Mat, bashkia merr përsipër shpenzimet e varrimit

Masakra në Mat, merret në mbrojtje familja e autorit të krimit

Masakra në Mat, flet kreu i Bashkisë: Më thanë “na vranë në bukë”

Ngjarja e rëndë në Mat, vriten dy punonjës të bashkisë, plagosen 2 të tjerë