Transmetuar më 12-10-2018, 17:05

Zbardhet dëshmia që deputeti i PD-së Ervin Salianji ka dhënë sot përpara Prokurorisë së Krimeve të Rënda në lidhje më çështjen “Babalja”. Në dëshminë e dhënë, ai ka treguar se si e kishte siguruar videon e dytë, ku shfaqet Fredi Alizoti. “Videon me Alizotin ma solli në PD Florenc Hoxha. Hoxha më tha se një person kërkonte takim.

Florenc Hoxha ish shef komisariati dhe ekspert i kriminalistikës kishte lënë në recepsionin e partisë një videoregjistrim me këtë person, ai më tha që ky person kërkonte të  takohej me mua dhe pasi e kishte parë të dyshimte, prej eksperiencës së gjatë që ka pasur në policinë e shtetit për të përballur me delikuente e kishte regjistruar në momente relaksi dhe qetesie të plotë për çfarë i kishte ofruar Taulanti nga Librazhdi dhe Ard Veliu nga Delvina”, deklaron Salianji.

Deputeti demokrat u pyet nga dy prokurorët Përparim Kulluri dhe Genti Osmani si person nën hetim për videon e dytë të kunatit të Babales. Pas daljes nga Krimet e Rënda ai u shpreh për mediat se rrjedhja e hetimit ka ndryshuar, ndërsa shtoi se ka dhënë edhe persona të tjerë që kanë dijeni për hetimin dhe fakte të tjera.

Deputeti i PD ka thënë se nuk e mban mend saktë datën kur ia ka dhënë videon, por ka qenë pas datës 1 qershor. Ndërsa prokuroria pritet të thërrasë Florenc Hoxhën për të marrë deklarime në lidhje me videon. Salianji është në hetim për akuzën e kallëzimit të rremë së bashku me Albert Veliun, i arrestuar dje në Kosovë, Fredi Alizotin i prangosur pak ditë më parë dhe gazetarin Jetmir Olldashi që ndodhet në masën detyrim paraqitje.

Albert Veliu akuzohet se bashkë me kunatin e tij, Fredi Alizoti inskenuan përgjimin Babalja 1, ku pretendohej se vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, bënte pazare droge me Albert Veliun. Ishte akt-ekspertimi i ardhur nga Anglia, që vulosi fatin e Babales, aty qartësohej se zëri në audio-përgjim nuk ishte i Agron Xhafës./b.l/noa.al/