Transmetuar më 12-10-2018, 17:42

Për kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, shkuarja e Bashës sot në Prokurori, është shenja e fundit që pushteti ka rënë. Ajo akuzon kryeprokuroren Arta Marku dhe prokuroren e Krimeve të Rënda, Donika Prela se janë në shërbim të Edi Ramës.

“Në kohën kur krimi është shtrirë në çdo segment të qeverisë së Rilindjes, prokuroria thërret për të dëshmuar kryetarin e opozitës.Në kohën kur kryetari i grupit parlamentar të PS është dukshëm dhe faktueshëm i përfshirë në afera kriminale, Arta Marku dhe Donika Prela, në shurdhësi dhe verbëri kriminale zbatojnë urdhrat e Edi Ramës, duke shënuar fundin e një shteti normal dhe  duke firmosur regjimin kriminal dhe të diktaturës mafioze të tij”, shkruan Krtyemadhi.

Më tej ajo akuzon kryeministrin Rama duke u shprehur se edhe pse ai është në krye të prokurorisë dhe ka kukullat e veta, sërish nuk paraqitet për t’u përballur me akuzat dhe denoncimet që opozita ka dorëzuar për të, sepse sipas saj Rama i frikësohet jo vetëm padive të opozitës në prokurori, por edhe vetë atyre që ka emëruar atje.

“Asnjë shërbëtor, sado i bindur, nuk mund ta mbrojë më frymëzuesin dhe zbatuesin e kriminalitetit që po mbyt çdo strukturë funksionale të shtetit. Frika që i ka pushtuar tashmë nuk njeh më asnjë barrierë ligjore. Dhe për këtë, përgjegjësi do të mbajnë të gjithë ata që sot drejtojnë policinë dhe prokurorinë me porositë e Edi Ramës dhe të vasalëve të tij”, nënvizon Kryemadhi

Në fund ajo deklaron se opozita e ka të qartë aksionin e saj për çrrënjosjen e krimit dhe bandave nga drejtimi i shtetit.

“Askush në botën e qytetëruar dhe në mes të Evropës nuk mund ta mbajë gjatë pushtetin duke përdorur mafien dhe pushtetin e pakufizuar. Dhe lufta pa kompromis ndaj kriminalizimit të pushtetit, përfshirë dhe veglat që i shërbejnë, do të jetë përparësi e misionit tonë, për largimin e një qeverie që drejtohet, jo më nga Edi Rama, por nga mafia që e ka marrë peng atë”, përfundon shkrimin e saj Kryemadhi./b.l/noa.al/