Transmetuar më 12-10-2018, 17:49

Gjykata e Prishtinës liron Albert Veliun i njohur si "Babalja", duke rrëzuar kërkesën për paraburgimin e tij.

Vendimi i gjykatës vjen në një kohë që vetë zëvendës/drejtoresha e policisë së shtetit, Aida Hajna, ndodhej në Kosovë dhe madje ishte takuar me homologët e saj për këtë çështje.

Në seancën e sotme gjyqësore, gjykata nuk e pranoi kërkesën e autoriteteve shqiptare për mbajtjen nën arrest të Babales, pasi për shtetasin në fjalë vijojnë ende procedurat për azil, shpjegoi avokati.

Nga ana tjetër, procedurat për ekstradimin e tij vijojnë ende. Babalja u arrestua dje nga policia në një qendër të azil-kërkuesve në Prishtinë, vend në të cilin Albert Veliu qëndronte që prej muajit qershor.

Veliu pretendon se në Shqipëri i rrezikohet jeta, pasi sipas tij ai ka denoncuar një rast të trafikut të drogës.

Babalja ishte shpallur në kërkim nga policia shqiptare për dëshmi të rreme. Ai u bë i njohur pas publikimit të audio-përgjimit, mes tij dhe një personi që pretendohej të ishte Agron (Geron) Xhafaj.

Albert Veliu i cili njihet dhe me pseudonimin "Babale" akuzohet për ‘kallzim të rremë në bashkëpunim" dhe "kalim të paligjshëm të kufirit"./b.l/noa.al/