Transmetuar më 13-10-2018, 23:10

Katër persona, mes tyre tre vëllezër shqiptarë, janë arrestuar në Itali me akuzat e shfrytëzimit të prostitucionit, rrëmbimit dhe vjedhjes

Mediat e vendit fqinj kanë publikuar edhe emrat e tyre, Ledjan Bacuku, 28 vjeç, Aleksandër Bacuk, 32 vjeç dhe Gentjan Bacuku, 35 vjeç.

Po ashtu, në pranga ka rënë edhe italiani Alessandro Gallineri, 46 vjeç.

Hetimi për 4 personat kishte nisur që në nëntor të 2017-ës. Më saktësisht në datat 29 dhe 30 nëntor të këtij viti, një vajzë 26-vjeçare shqiptare, e cila kishte punuar si prostitutë në Sanremo, nën kontrollin e 4 personave u dhunua, rrëmbye dhe u mbyll në një banesë në Albissola Marina nga katër tutorët, pasi ishte ajo ishte shprehur se donte t’i jepte fund jetës së rrugës.

Siç raportojnë mediat italiane për të shpëtuar, vajza dyshohet se u hodh nga kati i tretë i banesës në rrugën “Gentile”.

Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që e reja mund të jetë shtyrë nga ballkoni nga tutorët.

E frikësuar nga kërcënimet e tyre, u detyrua të deklaronte para hetuesve se ishte sulmuar nga një klient i Sanremos.

Por, dëshmia e një qytetari ngriti dyshime te hetuesit për vërtetësinë e deklaratës së vajzës dhe hetimet vijuan me kqyrjen e kamerave të sigurisë, përgjime telefonike, vëzhgime dhe ndjekje.

Fatkeqësisht vajza shqiptare nuk bëri asnjëherë denoncim për katër tutorët.

Por arrestimi i tyre u bë pas një vit hetimi, fillimisht të tre vëllezërve shqiptarë dhe më pas të shtetasit italian, i cili u kap në aeroport teksa kthehej nga një udhëtim nga Kolumbia.

Vëllezërit Bacuku, të regjistruar rezident në Savona, por me vendbanim në komunën Cairo Montenotte, kishin regjistruar një biznes ndërtimi, por që rezulton fiktiv. /k.k/noa.al/