Transmetuar më 14-10-2018, 09:39

Një operacion antidrogë, ka zbuluar në kufi 23 kilogramë lëndë narkotike, gati për t’u trafikuar.

Gjatë mbrëmjes së djeshme, e shtunë, Policia Kufitare e Muriqanit, ka vënë në pranga 54-vjeçarin Maliq Kruja, banues në Tiranë.

Arrestimi i tij u bë pasi është paraqitur në pikën kufitare të Muriqanit në dalje të Shqipërisë, me mjetin e tij tip Benz me targë DC187ZA, ku nga kontrolli i ushtruar në vijën e dytë u gjetën dhe u sekuestruan 23 kilogramë kanabis sativa.

Po ashtu në vijim të kontrolleve në Muriqan u arrestuan edhe E. M., 31 vjeç, banues në Durrës dhe A. B., 26 vjeç, banues në Tiranë.

Prangosja e tyre u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në autobusin e linjës Shqipëri-Gjermani në sediljen e tyre, u gjet dhe u sekuastrua një sasi e vogël lëndë narkotike kanabis sativa.

Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, në ngarkim të shtetasit Maliq Kruja, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe ndaj dy të tjerëve në Prokurorinë e Shkodrës për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. /a.y/noa.al