Transmetuar më 14-10-2018, 12:18

Prokurorisë së Krujës i kanë mjaftuar një muaj e gjysmë hetime që të finalizojë dosjen penale kundër Rexhep Rrajës, djalit të deputetit të Partisë Socialiste në Krujë, Rahman Rraja.

Çështja penale kundër tij tashmë është përfunduar dhe Rraja, do përballet në gjykatë me akuzën e “Përndjekjes”, ku rrezikon të dënohet nga 6 muaj deri në 5 vite burg.

“Shqiptarja.com” mëson se vendimi për dërgimin e Rexhep Rrajës është marrë në 4 tetor 2018 nga prokurorja e Krujës Mirela Kapo (Kostaqi), e cila gjatë kësaj kohe ka administruar të gjithë hetimin, duke kryer pjesën më të madhe të veprimeve hetimore vetë dhe pa ndikimin e asnjë oficeri të policisë së Krujës dhe Fushë-Krujës.

Në kërkesën për gjykim, që prokurorja ia ka çuar gjykatës, thotë duke renditur argumenta ligjorë dhe prova, se i pandehuri Rexhep Rraja ka konsumuar veprën penale të “Përndjekjes”, relativisht për një kohë të gjatë ndaj të dëmtuarës Xhisiela Maloku. Kjo pasi e dëmtuara Xhisiela Maloku, ka shfaqur ankth, pasiguri dhe paqëndrueshmëri në deklarimet e dhëna në polici dhe prokurori, por dhe vende të tjera, duke qënë në situatë tensioni të vazhdueshëm.

Bisedat e përgjuara në prokurori e Krujës

Ndër provat që prokurorja e çështjes i ka dërguar gjykatës së Krujës është dhe përgjimi ambiental që ka kryer në ambientet e prokurorisë mes dy protagonistëve të kësaj çështje, të pandehurit Rrexhep Rraja dhe të dëmtuarës Xhisiela Maloku.

Përgjimi është kryer fill pas përfundimit të seancës së ballafaqimit të këtyre dy personave, të cilët janë konfliktuar me njëri-tjetrin përpara prokurorëve. Në këto kushte të tensionuara është vendosur që Maloku dhe Rraja të futen në një zyrë që të qetësoheshin dhe pikërisht aty janë përgjuar. Pikërisht në këtë moment mes tyre ka nisur një bisedë, ku Rexhep Rraja fillon i thotë se çfarë na bëre, përse e sajove gjithë këtë histori të tillë, me hotel dhe pistoleta.

Ndërsa nga ana tjetër Xhisiela ia kthen Rrajës se ç’ke ti, se unë nuk do flas më për dhunën, nuk do i tregoj gjë asaj, duke ju referuar prokurores. “…kam për ta gënjyer… atë se më ka çmendur, më kërkon shumë dhe këmbëngul, çfarë ti bëj”- vijon të thotë në bashkëbisedim Maloku. Më tej kjo e fundit vijon ti thotë të dashurit të saj Rraja se sapo ti nxjerrin nga aty ku janë, dhe ta marrin në pyetje, do i kërkojë prokurores se është keq psikologjikisht, do e gënjejë në mënyrë që ajo të mos vazhdonte të këmbëngulte për ta marrë në pyetje.

Ndërsa nga ana tjetër i pandehuri Rraja i thotë se: “Të kam thënë që kam plane të tjera për ne të dy… por gjërat i ke komplikuar shumë ti. Plus që babai nuk është dakord me këtë lidhje. Gjithashtu Rraja ka vijuar ti flasë Xhisiela Malokut duke i pohuar se ajo kishte gënjyer edhe për pistoletën në hotel.

“Pse ke gënjyer për pistoletën xhanëm…”- i thotë Rraja, Malokut. Më tej djali i deputetit të PS vazhdon në bashkëbisedim me Malokun se dakord dhunën e pranoj që të kam goditur në hotel por pistoletë nuk kisha. Ti e shpike. Nga ana tjetër ai i thotë Xhisielës që të mos merret më me prokuroren pasi sipas tij ajo është e çmendur.

Ndërsa Xhisiela ia kthen se do i thotë që nuk është mirë psikologjikisht, do e gënjejë në mënyrë që të mos e marri më në pyetje atë ditë dhe se si do e gënjente Xhisiela Maloku prokuroren në vazhdim. Ndërkohë mësohet se fjalët mbyllëse të kësaj bisede të përgjuar nga prokuroria janë për daljen nga prokuroria dhe drekuar së bashku në restorant.

Biseda pas pajtimit:

Xhisiela: Do ikim pastaj të hamë ndonjë gjë se vdiqa

Rexhepi: Po a tu prit Indriti, pra do ikim me hangër bukë

Xhisiela: Do vish ti?

Rexhepi: Po vij, vij unë. Prandaj po të them mos prish punë

Xhisiela: Jo mor s’prish punë, por ti m’hangre, m’çmene. I kam hudh fare, më kanë marr në pyetje disa herë.

Në këtë bisedë tjetër mes të dëmtuarës dhe të pandehurit Rexhep Rraja duket që palët janë të pajtuar dhe madje shkojnë drejt daljes nga prokuroria për të drekuar së bashku. Por prokuroria e Krujës, ka vlerësuar të gjithë bisedën e plotë dhe ka vlerësuar se Rexhep Rraja duhet të arrestohej dhe menjëherë ka kërkuar caktimin e masës së arrestit në burg, kërkesë kjo që është pranuar nga gjykata e Krujës.

Xhisiela të premten në prokurori me dy psikologë

Nga ana tjetër e dëmtuara Xhisiela Maloku, është paraqitur dy ditë më parë, të premten, në prokurorinë e Krujës, ku e shoqëruar me dy psikologë ka dashur të japë dëshmi në favor të të dashurit të saj Rexhep Rraja, që ishte marrë i pandehur dhe dërguar në gjyq. Por prokurorja nuk ka pranuar të pyesë më tej këtë vajzë, duke i pohuar se pyetja e saj në vazhdim do bëhet vetëm në gjykatën e Krujës, kur dhe të fillojë procesi gjyqësor ndaj Rrajës.

Por nga ana tjetër Maloku ka filluar të kërkojë llogari tek prokurorja e çështjes se pse ia kishte çuar në burg, të dashurin e saj dhe se ajo do e mbronte në gjykatë.

Tashmë kjo çështje ka hyrë në një spirale të rrezikshme pasi, nëse Xhisiela Maloku ndryshon dëshminë e saj në gjykatë, atëherë ka shumë gjasa që ajo të arrestohet dhe akuzohet për “Dëshmi të rremë”.