Transmetuar më 14-10-2018, 14:01

Shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Genoveva Calavera bën thirrje për të aplikuar për pozicionet në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Nëpërmjet një statusi në Twitter, ajo ju bën thirrje prokurorëve nga Shqipëria në nivel apeli.

“Shfrytëzojeni mundësinë dhe aplikoni për pozicionet në Këshillin e Lartë të Prokurorisë! Këshilli luan një rol kyç në sistemin shqiptar të drejtësisë dhe në çuarjen përpara të integrimit të vendit tuaj në BE!”, thuhet në deklaratë.

Pak ditë më parë ishte kryeprokurorja Arta Marku, ajo që bëri thirrje për aplikim.

Në Këshillin e Lartë të Prokurorisë do të jenë gjashtë anëtarë prokurorë, nga të cilët një anëtar nga Prokuroria e Përgjithshme, dy anëtarë nga Prokuroritë e Apelit dhe tre anëtarë nga Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore.

Kriteret që duhet të përmbushin

– jetëshkrimin e përditësuar;

– deklaratat individuale të prokurorëve që i kanë mbështetur, të nënshkruara rregullisht;

– formularin e vetdeklarimit, sipas kërkesave të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”;

– një platformë personale të qëllimeve dhe objektivave që propozojnë të ndjekin në qoftë se zgjidhen;

– një deklaratë individuale të nënshkruar, përkundrejt përgjegjësisë ligjore, që nuk

kane qenë anëtarë ose bashkëpunëtorë të shërbimeve të inteligjencës përpara 2 korrikut 1991;

– një deklaratë individuale të nënshkruar, përkundrejt përgjegjësisë ligjore, se nuk janë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve sekrete;

– informacion mbi të afërmit e shkallës së dytë, nip/mbesë, gjysh/gjyshe, gjysmë vëlla/motër dhe të afërmit e shkallës së parë të bashkëshortit/bashkëjetuesit, prindër, fëmijë dhe vëllezër/motra që ushtrojnë në mënyrë aktive profesionin e avokatit ose janë pronarë ose drejtues ekzekutivë në subjektet ekonomike, të cilat klasifikohen si tatimpagues të mëdhenj nga autoriteti tatimor.

– lista e personave të lidhur, sipas kuptimit të ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”

– Formularin e Autoritetit për Informim mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. /a.y/noa.al