Transmetuar më 15-10-2018, 10:38

Gjykata ka marrë vendimin për autorin e dyshuar për vrasjen e trefishtë në Mat, ku tre persona humbën jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur.

“Arrest me burg” u vendos për 51-vjeçarin Kujtim Koxha, i cili do të qëndrojë në qeli në vijim të hetimeve.

Sakaq ai ka pranuar në gjykatë fajësinë, si dhe nuk ka shprehur pendesë. Ndërkohë në seancën e sotme nuk kishte asnjë familjar të tij.

Madje gjatë marrjes në pyetje ai është shprehur në polici se e kishte kryer krimin për të vendosur dinjitetin e tij para banorëve të tjerë, për shkak të një shpulle nga punonjësit e bashkisë në mes të fshatit.

Krimi ndodhi mesditën e enjtes që lamë në fshatin Shëlli të Matit, dhe gjithçka duket se ka nisur për një shpullë. Punonjësit e bashkisë së Matit, ishin duke punuar për shtrimin e rrugës së fshatit, kur Kujtim Koxha, u konfliktua me ta.

Rezulton se gjithçka ka nisur rreth orës 12.30, kur Koxha ka qenë në lokalin e fshatit dhe aty kanë ardhur punonjësit e bashkisë për të ngrënë drekë.

Në një moment ai është drejtuar drejt tyre dhe më konkretisht drejt Erzen Aliaj, duke i kërkuar llogari se pse nuk e shtrojnë rrugën deri afër shtëpisë së tij, por shtrojnë vetëm një pjesë.

Pas debateve ku pretendon se e kanë qëlluar me shpullë, ai ka shkuar në banesë, ku ka marrë një automatik, dhe ka shkrepur armën me breshëri, drejt punonjësve të bashkisë.

Më tej ai u fsheh në pyllin e fshatit Burgajet, ku pas afro një ore u vu në prangat e policisë, ku 40 efektivë zbritën në terren.

Nga të shtënat gjeti vdekjen e menjëhershme 36-vjeçari Mentor Hoxha, shofer fadrome me banim në fshatin Burgajet, dhe u plagosën rëndë punonjësi tjetër Erzen Aliaj 49 vjeç, banues në Burrel dhe Hamit Buçi 43 vjeç shofer kamioni, banor i fshatit Shëlli, të cilët gjetën vdekjen pak më vonë në spital.

Sakaq i plagosur rëndë vijon të jetë në spital, 40-vjeçari Astrit Hani, banor i fshatit Burgajet. /a.y/noa.al

Masakra me 3 të vrarë në Mat, i mbijetuari tregon si ndodhi ngjarja

Tre të vrarë për një shpullë, si nisi konflikti që përfundoi me masakër në Mat