Transmetuar më 15-10-2018, 14:15

Deputeti socialist Taulant Balla reagon ndaj deklaratës së kryedemokratit Lulzim Basha, i cili kërkoi heqjen e imunitetit dhe më tej marrjen si të pandehur të tij.

Gjithçka lidhur me rastin e Xhisiela Malokut, ku pretendohet se Balla ka qenë në komisariat teksa është kërcënuar oficeri Emiljano Nuhu, me synim mbylljen e çështjes, ku djali i deputetit Rrahman Rraja akuzohej për dhunë.

“Lulzim! Ti e di që je zyrtarisht në hetim për “kallëzim të rremë” bashkë me Shpifës Nuhun. Për mua flasin qartë kamerat e komisariatit (s’kam qenë hiç aty, madje as Nuhun s’e ke aty). Nesër, sapo të kthehem nga Parlamenti Europian, gati një kallëzimi tjetër për ty dhe Florenc Hoxhën, shokun tënd të famshëm që s’i zë dora vend pa shkelur ligjin”, shkruan Balla.

Basha, prokurorëve: Hiqini imunitetin Ballës

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, thotë se u fabrikua një dëshmitar i rremë për të mbrojtur Agron Xhafaj, vëllanë e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj i akuzuar për trafik droge.

Në një konferencë për mediat ditën e sotme, ai denoncoi se deri më tani nuk ka nisur asnjë hetim për Taulant Ballën, kreun e Policisë së Shtetit Ardi Veliun dhe drejtorin e Policisë së Fierit, të cilët i akuzon si të përfshirë në gjetjen e “aktorit” të paguar, për të cilin thonë se bëri zërin e Agron Xhafaj.

Sipas tij, manipulimi i hetimeve dhe mos hetimi nga prokuroria janë krime të rënda për të cilat dyshja Arta Marku-Donika Prela do të mbajnë përgjegjësi.

Basha tha se shërbimi ndaj Edi Ramës është shërbim ndaj krimit dhe për këtë do të mbajë përgjegjësi çdo polic dhe prokuror.

Në këtë linjë shtoi se ata që mendojnë se do i mbrojë Edi Rama e kanë gabim, duke nënvizuar se pushteti i Edi Ramës ka marrë fund dhe se rrëzimin e këtij pushteti nuk e ndal më asgjë.

Ai tha se përpjekjet për të shantazhuar apo shpërqendruar opinionin publik janë shprehje mjerane të Edi Ramës dhe se ato nuk do mund ta shpëtojnë dot as atë dhe as bashkëpunëtorët e tij në tentativë për të mbrojtur krimin.

“Ju bëj thirrje prokurorëve të ndershëm që t’iu rezistojnë urdhrave të Arta Markut dhe Donika Prelës. Besnikëria juaj duhet të jetë ndaj Kushtetutës, ligjit dhe drejtësisë dhe jo ndaj politikanëve të kriminalizuar. Ju bëj thirrje burrave dhe grave me kurajo në prokurori që të nxjerrin menjëherë fletë arrestet për Ardi Veliun dhe drejtorin e policisë së Fierit. Kërkoni heqje imunitetit dhe marrjen si të pandehur të Taulant Ballës. Edi Rama, Fatmir Xhafaj dhe Donika Prela të hetohen për pengim drejtësie”, u shpreh Basha.

Ai akuzoi se kupola e policisë dhe Prokurorisë me përfshirjen e Edi Ramës, Taulant Ballës dhe Fatmir Xhafaj, kanë gjetur, paguar dhe fabrikuar një dëshmitar të rremë për të mbrojtur Agron Xhafaj, i cili akuzohet nga Albert Veliu (Babalja) si i përfshirë në trafik droge, akuzë e denoncuar nëpërmjet një audio-përgjimi.

“Veproni sa nuk është vonë, jo se e kërkon ligji dhe Kushtetuta por se nga veprimi dhe mos veprimi juaj, varet stabiliteti i vendit dhe paqja sociale”, bëri thirrje Basha, duke deklaruar prerë se beteja e nisur nga opozita do të shkojë deri në fund. /a.y/noa.al

Basha, prokurorëve: Nxirrni fletë arresti për Ardi Veliun, hiqini imunitetin Ballës