Transmetuar më 15-10-2018, 18:47

Deputeti i Partisë Demokratike Genc Pollo, foli edhe një herë pasditen e sotme mbi situatën jonormale që u krijua më herët gjatë ditës në Parlamentin Europian.

Në një deklaratë për mediat, Genc Pollo tha se “është tallje me dinjitetin e njeriut dhe dinjitetin e ligjit të diskutojmë për luftën kundër krimit, drogës e korrupsionit e të miratojmë deklarata ndërkohë që mbledhjen e (bashkë) kryeson Taulant Balla”.

Pollo citoi deputetët europianë të cilët sipas tij kërkuan që çështje të tilla të marrin zgjidhje në Tiranë.

Por sipas Pollos, e gjitha ndodhi pasi kreu socialist Edi Rama dhe kreu i Parlamentit, Gramoz Ruçi, refuzuan një marrëveshje që kishte propozuar opozita:

“Rama dhe Ruçi nuk deshën të pranojnë një zgjidhje të thjeshtë që u propozuam para një jave”, – tha z.Pollo pa dhënë hollësi të tjera.

Pollo shtoi se këtë fakt e shpjeguan edhe gojarisht në mbledhjen e Komisionit të Përbashkët të Stabilizim-Asocimit.

Në mbledhjen e sotme, opozita kërkoi përjashtimin e Ballës nga Komisioni, me akuzat se ai është i lidhur me krimin.

Për Pollon, ‘edhe shumë deputetë normalë të mazhorancës dhe i gjithë opinioni publik bie dakord’ për akuzat e opozitës.

“Ndonjë deputet thotë se kjo çështje sqarohet në gjykatë. E drejtë edhe kjo. Aty do të sqarohet në një ditë jo të largët. Por hë për hë prokuroria dhe gjykatat janë me probleme e nuk para merret me skandalet e qeverisë. Pastaj politika është për të vepruar shpejt kur ka bazë dhe jo kjo të marrë vite. Dhe Balla i ka pranuar një pjesë të fajësimeve’, – shtoi Pollo.

Sipas tij, eurodeputetët kërkojnë sqarime nga qeveria shqiptare, për rastet Bego, Beço, Rraja, etj. /k.k/noa.al/