Transmetuar më 15-10-2018, 20:13

Në një kohë kur ai u mori jetën 3 punonjësve të bashkisë së Matit dhe plagosi një tjetër, për familjarët e Kujtim Koxhës krimi i rëndë ka ‘mbjellë’ frikë.

Gazetari Enver Doçi ka konfirmuar për “BalkanWeb” se 4 fëmijët e 51-vjeçarit bashkë me vëllezërit e tij, kanë lënë fshatin Shëlli të Matit nga frika e gjakmarrjes.

Po ashtu të njëjtat burime pohojnë se në banesën e ish-kryeplakut të fshatit ndodhet vetëm gruaja, e cila ruhet nga forca policore pas mbrojtjes që u vendos për këtë familje.

Ndërkohë, mësohet se nga policia ruhet edhe vëllai tjetër i Kujtim Koxhës, i cili jeton në Mamurras. “BalkanWeb” mes të tjerash raporton se familjarët e autorit të krimit të 3-fishtë, i cili u la sot në burg nga gjykata e Matit, nuk kanë shkuar për sqarim në familjet e tre viktimave.

Ndërkohë, Doçi bën me dije se kryetari i Bashkisë së Matit, Nezir Rizvani ka pohuar se punimet në rrugë që u lanë përgjysmë pas masakrës në Shëlli, do të vijojnë në ditët në vijim.

NGJARJA

Ngjarja e rëndë që i mori jetën 3 personave dhe një tjetër u plagos ndodhi pasditen e 11 tetorit në fshatin Shëlli të Matit. Shkak i krimit të 3-fishtë u bë rruga e fshatit Shëlli, ku punonjësit e Bashkisë po kryenin punime.

Nga breshëria e plumbave Mentor Hoxha ndërroi jetë në vend, ndërsa Erzen Aliaj dhe Hamit Buçi vdiqën në spital. Ndërkohë i plagosur mbeti kolegu i tyre, Astrit Hani, i cili mori dy plumba në kofshë, ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën.