Transmetuar më 18-10-2018, 14:12

Mazhoranca është e vendosur ta çojë deri në fund nismën për kufizimin e lojërave të fatit dhe basteve.

Pas fjalës së sotme të Kryeministrit Edi Rama në Kuvend, i cili tha se kazinotë do lejohen vetëm në hotele dhe resorte me pesë yje, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, bën një hap më shumë.

Nga foltorja e Kuvendit ai i bëri thirrje opozitës që të ndërpresë bojkotin dhe të miratojë projektligjin.

Në emër të ligjvënësve socialistë ai kërkoi që projektligji të kalojë më procedurë të përshpejtuar dhe javën e ardhshme të vijë për votim.

“Unë kam besim që Kuvendi sot, grupi i PS do ta mbështesë vendimin për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar, i bëj thirrje PD-së që në largimin me bojkot pa arsye të shfrytëzojë seancën e së enjtes për t’u kthyer në parlament dhe për të votuar këtë projektligj të rëndësishëm”, u shpreh Balla.

Ndërkohë nga e hëna e ardhshme projektligji pritet të nisë shqyrtimin në komisionet parlamentare, ku të enjten pritet edhe votimi. /a.y/noa.al

Rama: Kazinotë vetëm në hotele dhe resorte me 5 yje, deputetët po sulmohen me mesazhe nga burgu