Transmetuar më 18-10-2018, 14:17

Nuk ka ndonjë rrenë. Noizy është vërtet këngëtari më i njohur për të rinjtë shqiptarë. Mirëpo….

Nga Mustafa Nano

E njihni Noizin? Me siguri, po. Në mos e keni ndjekur, ia keni dëgjuar emrin. Edhe unë ia kam dëgjuar emrin, ndonëse nuk e kam ndjekur. Ca copëza këngësh ia kam dëgjuar, sidoqoftë. Një herë në një stacion radioje. Një herë në një nga ato stacionet televizive me vetëm muzikë. E një herë tjetër, ngaqë dikush i afërt më ka futur këngë të vetat në një usb që unë e mbaj në makinë. Shkurt, Noizit nuk i fshihemi dot. Kështu ndodh gjithnjë me personazhet që janë shumë popullorë, me personazhet që janë shndërruar në një fenomen. Dhe ai është shndërruar në një fenomen shqiptar. Ky është fakt.

Mua më thanë këto ditë se Noizy ishte futur edhe në tekstet shkollore. Ai që ma tha, ma tha me një lloj alarmi. Dhe nuk është se dinte detaje. Nuk është se e dinte se në ç’formë ishte futur në tekstet shkollore. E t’ju them të drejtën, në mungesë të informacionit, më kapi edhe mua një lloj shqetësimi. Mendova se mos ishte bërë personazh antologjish letrare, siç është bërë Bob Dylan në SHBA apo këngëtarë të tjerë të mëdhenj në Europë. Sepse ka një numër këngëtarësh që, për shkak të popullaritetit, por mbi të gjitha për shkak të revolucionit që kanë shkaktuar në muzikë, e për shkak të mesazheve që përcjellin me këngët e tyre, studiohen edhe nëpër shkolla. Kënga e Celentanos, fjala vjen me titull “Il ragazzo della via Gluck”, nuk ka pse të mos studiohet në shkolla. Ajo është një nga këngët e para ekologjike të botës. Në mos e para fare.

Po Noizin, për çfarë ta kenë futur në antologjitë letrare tonat?-thosha me vete. Tekstet e këngëve të tij janë mbushur me vargje të tipit: “S’ka mo, gili vili, kush o ma i miri e dini/Se kur Noizy mrena hini, ju metët krejt si Çaplini”, ose “Ndryshon situata për punë sekondash/Thehet shishja n’kokë për pun sekondash/Shef veten n’tokë për punë sekondash/Ose t’varim ke shtylla si varëse rrobash”, ose “Tash a ka mundësi me m’fal, ti shko qije veten/Ti bon gam gam, por na krejt e dimë t’vërtetën/Ta dhiva suksesin dhe krejt ata që t’mshtesin”, ose “Na jena çunat e natës, me ne s’ka llafe/Kapuçat n’kry krejt me patllake/heke orën dhe varësen prej qafe/qiti tan paret, m’i jep si dhuratë/ti je biznesman, unë jom biznesboy/ti ki karta banke, për to kom nevojë”, etj, etj.

Ja, ky është Noizy. Dhe prandaj, unë thosha me vete: “Noizy nëpër antologjira? Mos o Zot! Vetëm këtë nuk ka mundësi ta kenë bërë”. Në fakt, nuk e kishin bërë. U informova mirë për se bëhej fjalë dhe u lehtësova. Noizy nuk ishte bërë personazh antologjish letrare. Për ta thënë me t’folmen e Noizit, “veç sa ishte përmen”. Në një tekst të klasave fillore, në mes të fjalive, ishte edhe kjo: Noizy është …. më i njohur për të rinjtë shqiptarë. Dhe nxënësit do duhej ta plotësonin fjalinë e të vinin në vend të pikave fjalën: këngëtar. Noizy është këngëtari më i njohur për të rinjtë shqiptarë. Kaq ishte historia e Noizy-t, që u bë lajm në të gjitha portalet e rrjetet sociale.

Dhe nuk është se ka ndonjë gjë që nuk shkon në këtë mes. Nuk ka ndonjë rrenë. Noizy është vërtet këngëtari më i njohur për të rinjtë shqiptarë. Mirëpo…. Mirëpo, prapëseprapë unë nuk mendoj se Noizy duhej përmendur. T’i përmendësh emrin dikujt në librat shkollorë do të thotë t’ia legjitimosh popullaritetin, ta uficializosh atë, të japësh idenë se sistemi e ka pranuar, e ka bërë pjesë të vetën. Por nuk ka se si të jetë kështu. Nuk janë shijet popullore që i imponohen sistemit, sidomos sistemit të edukimit. Po të ishte kështu, nxënësit do të mësonin nëpër shkolla vargjet e këngës “Gëzuar Baftjar”, që është nga më të ndjekurat në Youtube e jo vargjet e poezive të Fatos Arapit: “Unë e desha përtej vdekjes/Ashtu dashurova unë/Edhe prapë s’ia fal dot vetes/S’i s’e desha pak më shumë….”.

Këto vargje i dinë a s’i dinë 200 veta. Kështu që, le ta lëmë Noizin në “shenjtërinë” e tij, le ta lëmë të bëjë muzikën që ai dëshiron të bëjë, t’i gëzohet popullaritetit të vet, madje edhe popullaritetit mes fëmijëve, por kur këta të fundit janë në shkollë, Noizy nuk duhet të ketë vend mes tyre. Shkolla është një tempull. Dhe tempulli nuk duhet lënë të përdhoset. Ju kujtohet fabula e ungjijve, e të katër ungjijve kanonikë? Jezu Krishti hyn në tempull në Jerusalem dhe aty gjen shitës bagëtish, kambistë, tregtarë. “Dilni jashtë!”, u thotë. “Ky nuk është vendi juaj, ky është tempulli i Zotit”. Dhe i vuri përpara me kamxhik. Tempullin e mbajti të pastër. Morali? Tregtarët bëjnë një punë të nevojshme, por ata nuk kanë vend në tempull. Po kështu edhe Noizy. Ai bën një muzikë, të cilën ia pëlqejnë dhe kjo është ok, por ai duhet nxjerrë jashtë nga tempulli. Që në këtë rast është shkolla.

Noizy pjesë e librave të shkollës