Transmetuar më 18-10-2018, 17:09

Shqipëria i ka dhënë sërish votë kundër SHBA-ve në OKB.

Vota kundër erdhi pasi të martën, përfaqësuesi i Shqipërisë miratoi projekt rezolutën e paraqitur nga Egjipti për njohjen e Palestinës nga OKB, si drejtuese e grupit 77.

Kjo votë, komentohet nga ish-ministri i Jashtëm, Tritan Shehu, aktualisht Zëvendëskryetari i Komisionit të Jashtëm në Parlament.

Ai thotë se vendimi i qeverisë shqiptare vjen edhe pse ne nuk jemi pjesë e atij grupi dhe as Palestina nuk është anëtare e plotë e OKB-së.

Reagimi amerikan ishte i menjëhershëm duke e konsideruar këtë rezolutë si “akt të dëmshëm që vështirëson procesin e paqes në Lindjen e Mesme”.

Sipas deputetit të opozitës, Tritan Shehu, veprime të tilla dobësojnë mbështetjen për kombin tonë dhënë nga SHBA.

Por Shehu del kundër Palestinës në qëndrimin opozitar që shpalos: ‘Duke i dhënë mbështetje Palestinës, e njohur për qëndrime të forta kundra Kosovës, jo vetëm që u kundërvihemi pozicioneve amerikane, por dëmtojmë proceset e paqes në atë rajon, që nuk mund të zhvillohen pa SHBA-të’, – sugjeron Shehu. /noa.al/