Transmetuar më 18-10-2018, 19:32

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavushoglu (Mevlüt Çavuşoğlu) ndodhet në Shqipëri, por ndërsa edhe pak orë duhen që ai të largohet nga vendi ynë, vizita e tij po kalon në heshtje totale nga qeveria.

As ministria e Punëve të Jashtme dhe as Kryeministria nuk njoftuan mbi vizitën si dhe nuk bëhet e ditur nëse ka patur ndonjë takim a bisedë mes Çavushoglu dhe Bushatit apo Ramës.

Nga ana tjetër, qeveria turke njoftoi zyrtarisht për takime dypalëshe, duke shtuar se ‘pritet që në takimet e Çavushoglu me autoritetet zyrtare në Tiranë të trajtohen gjerësisht marrëdhëniet e Turqisë me Shqipërinë, si dhe të shkëmbehen mendime mbi zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare’.

Por cilët zyrtarë ka takuar MPJ turk?

Kjo mbetet mister.

Ministri i Jashtëm turk erdhi në Shqipëri dhe mori pjesë në ceremoninë e fillimit të vitit të ri akademik në universitetin e “New York”-ut në Tiranë, bëjnë të ditur burime zyrtare që citon radiotelevizioni shtetëror turk.

I njëjti burim tha se universiteti i “New York High School”, është pjesë e rrjetit të shkollave që administrohen nga fondacioni turk “Maarif”.

NOA konfirmoi nga zyra e shtypit të MPJ turk, se University of New York Tirana, është transferuar në pronësi të fondacionit ‘Turkish Maarif Foundation’.

Bëhet e ditur gjithashtu se ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavushoglu ka planifikuar edhe një takim në Dhomën Industriale dhe Tregtare Shqipëri-Turqi.

Pas përfundimit të kontakteve në Shqipëri, nesër Çavushoglu do të shkojë në Kosovë. /a.b/noa.al/