Transmetuar më 18-10-2018, 21:16

Kontribut i shtuar për paqen dhe sigurinë në Ballkan, e ka quajtur Lulzim Basha krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Në një reagim për votimin e Parlamentit kosovar, për krijimin e Ushtrisë atje, kryetari i Partisë Demokratike ka përshëndetur një vendim të tillë.

“Përshëndes votimin e ligjit që i hap rrugën krijimit të ushtrisë së Kosovës. Kosova me ushtrinë e vet, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët euro-atlantikë dhe me aspiratën e antarësimit në NATO, do të jetë një kontribut i shtuar për paqen dhe sigurinë në Ballkan”, thuhet në një deklaratë për mediat të z. Basha.

Projektligji u votua me 98 vota pro, çka bën që FSK të kthehet në Ushtri të Kosovës.

Sakaq, nëpërmjet këtij projektligji, përcaktohet organizimi dhe funksionimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Gjithashtu deputetët votuan edhe projektligjin për transformimin e ministrisë së FSK-së në Ministri të Mbrojtjes, me 101 vota pro.

Projektligji u fut në votim, si pikë e parë e rendit të ditës. Ndërkohë deputetët e Listës Serbe e bojkotuan seancën. /k.k/noa.al/