Transmetuar më 19-10-2018, 14:20

Presidenti Ilir Meta, priti sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu. Meta vlerësoi marrëdhëniet midis dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen që Turqia i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, veçanërisht në tre dekadat e fundit.

Duke u ndalur tek mundësitë e mëdha të bashkëpunimit ekonomik, Presidenti shprehu vlerësimin për vëmendjen që Presidenti Erdogan dhe qeveria turke i kushtojnë këtij bashkëpunimi me Shqipërinë dhe nënvizoi se Turqia mbetet një nga partnerët kryesorë ekonomik e tregtar për Shqipërinë.

Meta vlerësoi gjithashtu kontributin e dhënë nga Turqia përmes Agjencisë turke të Bashkëpunimit për Zhvillim TIKA, e cila tashmë është e pranishme në të gjithë Shqipërinë.

Të dy bashkëbiseduesit i kushtuan një vëmendje të veçantë zhvillimeve më të fundit në rajonin e Ballkanit dhe nevojës për të vijuar kontributin e përbashkët në ruajtjen dhe forcimin e paqes dhe të stabilitetit në këtë rajon.

Në këtë kuadër, Meta vlerësoi mbështetjen që Turqia ka dhënë për njohjen e pavarësisë dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat rajonale dhe ato ndërkombëtare.

Presidenti vlerësoi gjithashtu rolin e jashtëzakonshëm që luan Turqia në përballimin e krizës humanitare të refugjatëve sirianë dhe vendeve të tjera të Lindjes së Mesme në konflikt. /a.y/noa.al