Transmetuar më 19-10-2018, 15:44

Zëvendësministri i Arsimit, Ervin Demo, pas akuzave për plagjiaturë ka paraqitur sot dorëheqjen e tij. Demo u shpreh se çdo argumentim nga ana e tij kundër baltosjes siç tha ai, në pozicionin që është sot, do të paragjykohet vetiu dhe do të linte vend për keqinterpretime, nëse ai do të mbetej në pozitën e zv/ministrit.

“Gjatë 2 javëve të fundit jam vënë në shënjestër nga politika e baltës dhe besoj se në radhë të parë më takon të vë interesat e kabinetit qeveritar mbi interesin tim personal. Unë i jam thellësisht mirënjohës Kryeministrit për mbështetjen e Tij të pakushtëzuar, të Ministres së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve po ashtu, si edhe të gjithë atyre që ma bënë kaq sfiduese, dinamike e të bukur pse jo, këtë fazë të karrierës sime.

Sot kam ofruar dorëheqjen si zëvendësministër dhe mbetem i përkushtuar në vijimin e përpjekjes sonë të përbashkët, si qytetarë e si veprimtarë të Partisë Socialiste. Çdo argumentim nga ana ime kundër baltosjes në pozicionin që jam sot, do të paragjykohej vetiu dhe do linte vend për keqinterpretime, nëse unë do të mbetesha në pozicionin tim”, deklaroi z. Demo.

Më tej ai shtoi se besimi e mbështetja e deritanishme, i mjaftojnë e teprojnë.

“Besoj fort që koha do t’i vërë më shpejt se vonë gjërat në vend dhe unë do të jem në pozicionin e duhur për ta ndihmuar këtë proces. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ka disa muaj që po përgatit fillimin e “Verifikimit të kritereve të ligjshmërisë” (VKL) për të gjithë titujt dhe gradat e akorduara nga IAL-të në vend, gjatë 10 viteve të fundit”, shton ai.

Demo sqaron se “Nuk do të dëshiroja kurrë që në pozicionin e zëvendësministrit, të isha unë vetë arsyeja për ta paragjykuar këtë element kaq të rëndësishëm të reformës sonë rrënjësore. Proçese të tilla transparente, rigoroze dhe të drejta, janë rruga e vetme për të krijuar një qasje të re në sistem për arsimin që aspirojmë dhe kontribuar në kulturën e duhur organizative në promovimin e stafeve akadamike dhe kërkuesve të rinj.

Do të jetë tejet e vështirë, po pikërisht për këtë arsye jam sot më i bindur se kurrë që vetëm nën drejtimin aktual, të Kryeministrit Rama dhe Partisë Socialiste që reformat jetike për vendin, do të vijojnë të ecin me vendosmëri në drejtimin e duhur. Për mua ka qenë një privilegj të kem qenë pjesë e kabinetit Rama. Tanimë do të jem i tëri në dispozicion të veprimtarisë sime politike mes njerëzve të zakonshëm”. /b.l/noa.al/