Transmetuar më 19-10-2018, 19:44

Arkitekti Ervin Taçi, bashkëthemelues i shoqërisë së projektimit DEA Studio, i lindur në një familje artisti, që në fëmijëri kultivoi ndjesitë e kreativitetit dhe të pasionit për artin vizual. Prirja ndaj së bukurës, por edhe ndaj gjeometrisë, e çoi drejt zgjedhjes së vetme që mund të shprehte talentin dhe pasionin e tij, që ishte arkitektura. Pas studimeve 5 vjeçare (1992-1998) në Fakultetin e Arkitekturës, u diplomua në vitin 1998 në degën Arkitekturë, profili Urbanist.

Në vitin 2002, së bashku me dy kolegë të tjerë, themeloi shoqërinë e projektimit DEA Studio, si sfidë e një bërthame arkitektësh të rinj në tendencë për të thyer kufijtë, drejt një filozofie “open mind”-i, paralel me zhvillimet ndërkombëtare më bashkëkohore.

Sfera e aktivitetit të studios që z. Taçi bashkëdrejton prej më shumë se 16 vitesh, DEA Studio, shtrihet në planifikim urban, urban design, arkitekturë, interior design, konsulencë dhe supervizion. Që në vitin e parë të karrierës profesionale me studion, ka arritur të fitojë konkursin e Masterplanit tëzonës së Kasharit (240 ha) e më pas shumë konkurse për realizimin e veprave publike dhe private. Suksesi më i fundit është fitimi i vendit të parë në konkursin ndërkombëtar për Kompleksin e Skijimit Borea në Pejë.

Më poshtë është një intervistë me z. Taçi, mbi aktivitetin e tij profesional. 

Jemi informuar lidhur me prezantimin e projektit “Parku Olimpik i Tiranës” në Forumin Ndërkombëtar të Arkitekturës dhe Inxhinierisë, që do të zhvillohet pas disa ditësh në Budapest, pikërisht në 25 Tetor. Çfarë është ky Forum dhe ky përfaqësim i juaji? 

Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë bashkëorganizoi një konferencë të ngjashme në Shkurt të po këtij viti në hotel “Plaza” me një audiencë ndërkombëtare, ku prezantova projektin “Parku Olimpik i Tiranës”. Menjëherë pas Forumit, mora ftesën zyrtare nga organizatorët për të përfaqësuar arkitekturën Shqiptare dhe DEA Studio në Forumin e Budapestit. Është një hapësirë komunikimi ndërmjet profesionistësh ndërkombëtarë me prezantime tematikash dhe projektesh konkrete të spikatura veçanërisht në kontributin që ato sjellin në kontekste urbane dhe hapësira publike për zhvillime të qëndrueshme dhe frymëzuese të jetës së përditshme në vende të ndryshme të botës.

Pse dhe kur vendosët të bëheshit arkitekt? 

Lidhja ime me artin ka qenë që në kopësht, kur ma jepnin apo e “rrëmbeja” vetë fletën e vizatimit. I rritur në fakt mes ngjyrash, lapsash, penelash në prezencën humane dhe profesionale të tim eti Llazar Taçi, artist i mirënjohur i artit figurativ dhe veçanërisht njohës shumë i mirë i anatomisë njerëzore dhe kompozimit dy-tre dimensional në tabllo, më krijonte një peizazh të vazhdueshëm frymëzimi. Kjo atmosferë, ka qenë konstante dhe progresive në rritjen time dhe do doja t’ja thoja sot publikisht dhe ta falenderoja për atributet e fisnikërisë humane dhe kreativitetit artistik, që më ka injektuar që në gjenezë. Megjithëse piktura ka qenë pjesë e jetës që në moshë të vogël një art tjetër figurativ, skulptura, më transmetonte emocione më të mëdha. Më vonë, me arritjen drejt moshës së studimeve universitare e kuptova, që kualitetet që kisha në gjeometri, vizatim të lirë/pikturë, por edhe tërheqja më e madhe nga volumetria e skulpturës kishin vetëm një emërues të përbashkët, që rrjedhimisht përfaqësohej nga arkitektura.

A arritën studimet ta përmbushnin dëshirën dhe talentin tuaj për t’u formuar si profesionist?

Në moshën e gjimnazit impresionohesha dhe frymëzohesha nga daja i nënës time, Koço Miho, personalitet i Urbanistikës dhe Arkitekturës Shqiptare, me studime akademike të kryera në Moskë, kryearkitekt i Tiranës në një nga periudhat më të vështira të historisë pas Luftës së Dytë Botërore dhe një nga themeluesit e degës së arkitekturës në Universitetin e Tiranës. Koha kur fillova studimet ishte vërtetë e veshtirë, pasi dega e Arkitekturës ashtu si edhe gjithë sistemi universitar u ndesh menjëherë, pas pëmbysjes së diktaturës, me një hemoragji të thellë intelektuale. Kujtoj një moment shumë të rëndësishëm kur për fat u gjenda pikërisht në kohën e duhur të maturimit universitar, në një projekt të rëndësishëm për një qytet satelit të Tiranës në drejtimin e profesorit të mirënjohur Amerikan të Universitetit të Floridas, Harry Merritt. Përtej të qenurit një arkitekt i shkëlqyer, “nxënës” i shkollës së arkitekturës së babait të arkitekturës moderne Frank Lloyd Right, tek kjo figurë zbulova rëndësinë që ai i jepte dimensionit human në projektim. Arkitektët priren të krijojnë, ashtu si të gjithë kolegët e tjerë të artit dhe, në shumë raste mbeten egoiste deri në fund të instikteve të tyre krijuese. Është pikërisht ky "detaji", që dallon skulpturën nga arkitektura. Ti je përpara një objekti që duhet të flasë nëpërmjet plastikës së interpretimit volumor dhe vetë objekti ngelet protagonist, ndërkohë që me arkitekturën ti ke mundësinë të shprehësh gjithë “gjenialitetin” tënd kreativ, por në fund krijimi duhet t’i përgjigjet protagonizmit të njerëzve. Ky është ekuilibri ideal i profesionit tonë sublim dhe këtë arrita ta kuptoj dhe fiksoj për fatin e madh nga profesori i nderuar Harry Merritt. 

Si vazhdoi sfida juaj pasi përfunduat studimet, si lindi DEA dhe pse ky emër? 

QERSHOR

Sigurisht DEA nuk lindi ditën e parë, që u zyrtarizova si arkitekt. Tek përpiqesha të krijoja mundësinë e zhvendosjes në kontinentin e ëndrrave, në SH.B.A (dhe në fakt nuk isha larg realizimit), u bashkësfiduam me bashkëshorten time arkitekte Klodiana Emiri dhe mikun e afërt arkitekt Alket Meslani për të krijuar ndërkohë brandin DEA. Sigurisht që nuk mund ta dinim se ku do mund të arrinim, por sfida ka qenë e hapur që në fillimet e saj, rast pas rasti, për çdo mundësi që na ofrohej. Shikonim tek çdo punë potencial, të cilin nëpërmjet analizës dhe thellimit duhet ta “çlironim“. Kjo ishte DEA. Për emrin nuk u lodhëm shumë, pasi na erdhi natyrshëm nga profili i konsulencave, qëdo mund të merrnim në përgjegjësi në të ardhmen si, Design, Engineering, Architecture. Kjo e fundit, çuditërisht përkoi edhe me skulpturën e famshme të Dea-s së Butrintit, që na përqaste pranë historisë, artit, ndërkombëtarizmit, etj. Për këtë arsye mendojmë se ky emër na përfaqësonrëndësishëm. 

Na tregoni pak më shumë për trajektoren e karrierës tuaj dhe portofolin e krijimeve dhe projekteve? 

Nisi me projekte vilash, një hotel, pastaj doli rasti i pjesëmarrjes në konkursin kombëtar për Masterplanin e zonës së Kasharit. Në atë vit ishim 25 vjeç, vetëm 2 vjet pas diplomimit. Projekti ynë fitoi mes shumë të tjerësh. Një mega projekt urban i vendosur në 240 ha dhe që kishte në brendësi të gjitha funksionet që e kthenin Kasharin në një qytezë të mirëfilltë. Në këtë projekt përfshiheshin midis të tjerash struktura banimi, shërbimesh, biznesi, industriale, një park publik, etj. Sot Masterplani ruan elementet kryesore bazike. Për fat të keq, një pjesë e tyre janë transformuar nga ndryshimet e vazhdueshme të pushteteve.Është e bukur të kujtoj se ishte ky rasti kur u dukëm të “lajthitur” në KRRT e Republikës së atyre viteve, kur në atë moshë propozonim bulevard rreth 2.5km në periferinë e Tiranës me një dimension tërthor 62 m, ku parashikohej lëvizja e dedikuar e tram-it, biçikletave, autobuzëve, makinave dhe sigurisht njerëzve. Pas reformës së pushtetit vendor sot zona, për fat, është nënadministrimin e Bashkisë së Tiranës dhe i është rikthyer zbatimit të Masterplanit, megjithëse seksioni i ngelur tërthor është vetëm 36 m. Dinamika e fillimit ishte në kufijtë e të pamundurës kur ndërmjet porosive të para të projekteve angazhoheminga një grup investitorësh privatë për projektimin e dy kullave në qendër të Tiranës, pikërisht aty ku sot ndodhet Hotel Plaza. Projekti u miratua madje, por për koinçidencë të momentit nuk u bë e mundur të realizohej. Kur rikthehesh në kujtesë dhe reflekton se në ç’moshë na u besua një projekti i atij niveli. Si filloi, DEA dukej te ishte ëndërr e realizuar, që më mbajti pezull ëndrrën amerikane. 

Cili është arkitekti juaj i preferuar dhe përse? 

Arkitektët personalisht i klasifikoj në gjenial, profesional dhe mediokër. Gjenialitetin e Gaudit nuk ke si mos ta spikasësh kur mendon çfarë dhe kur i ka realizuar veprat e tij. Apo arkitektët e kohëssë teknologjisë ndërtimore të avancuar si Zaha Hadid, Norman Foster, Renzo Piano, etj. Por sot do të veçoja Bjarke Ingels (BIG), që është për koinçidencë edhe bashkëmoshatari im. Përtej spektakolaritetit që ofron nëpërmjet interpretimeve volumore të hapësirës ai pozicionon si aktor kryesor të veprave të tij qenien njerëzore në një mënyrë apo tjetër. Patjetër që kjo shkon në një kah me qasjen time dhe sigurisht edhe të DEA-s që në zanafillën e saj.

Keni dikë që ju këshillon apo frymëzon? 

Patjetër që po. Për mua frymëzim i madh në vazhdim është im atë, i cili edhe pse tanimë nëmoshë madhore punon me të njëtin pasion si kur ishte në fillimet e tij. E dëgjoj me vëmendje të më thotë ndonjëherë se akoma vazhdon të mësojë nga hedhja e ngjyrave në tablo dhe se çdo ditë që krijon është një leksion i ri edhe për të. Emocionuese, model!

Sigurisht, që jemi në rutinën ditore të punës me bashkëshorten arkitekte dhe drejtuese të zyrës, por këshillohemi dhe dëgjohemi reciprokisht për vendimarrje të ndryshme.

Cili është projekti juaj historik dhe modern (bashkëkohor) i preferuar? Përse? 

Do thoja Parku Olimpik i Tiranës si arkitekturë. Parku Olimpik i Tiranës është konceptuar në masterplan si një kompleks sportiv për të qenë aset i të gjitha sporteve, sportistëve, por edhe qytetarëve. Aktualisht ai akoma nuk e ka marrë këtë status “de facto” pasi kompleksit nuk i janë hequr kangjellat siç koncepti i projektit e parashikon, duke i sjellë atij në perceptimnjë ngërç vizual dhe psikologjik. Për këtë arsye më të preferuat ngelen veprat që janë konceptuar dhe realizuar si rikonceptime hapësirash publike pasi ato dukshëm kanë nxitur zhvillimin e qendrueshëm dhe spikatur bashkëjetesën qytetare. Disa nga më të rëndësishmet prej tyre janë: Qendra e Lushnjës, Shëtitorja e Qeparoit, Shëtitorja e Jalës, Shëtitorja e Dhërmiut, Qendra e Delvinës, Qendra e Përmetit, Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë, Teatri i Korçës si dhe në pritje rikonceptimi i Shëtitores së Sarandës. Por projektimi i një hapësire të rëndësishme publike në Tiranë, mbetet një ndër dëshirat ende të parealizuara. Jam i bindur që do vijë momenti. 

Çfarë mendoni për ndryshimet në Tiranë dhe në Shqipëri? 

Ndodh një fenomen. Syri i qytetarit ngaqë është prezent në jetën e përditshme në kufijtë e të njëjtit qytet, i përcepton ndryshimet pothuaj gjithmonë të ngadalta dhe kërkon më shumë e më shumë. Kjo është edhe pjesë e natyrës njerëzore dhe veçanërisht dalja e individëve jashtë kufijve të Shqipërisë, i rrit edhe më tepër pritshmëritë. Kam bindjen e thellë që të gjithë ne duhet të mbajmë frymën fort, të mbyllim pak sytë e të reflektojmë se çfarë ndryshimesh kanë ndodhur dhe çfarë janë në proçes. Ndryshimi i madh në fakt është tek qasja. Nuk është e thjeshtë edhe për vende shumë më të zhvilluara, që t’ju koinçidojne në lidership politikanë vizionarë, që të mund të sjellin ndryshimin. Ky është fakti që ka ndodhur me Tiranën dhe tanimë edhe me Shqipërinë. Kërkesa për vepra publike cilësore dhe me koncepte bashkëkohore ka sjellë për rrjedhojë edhe angazhimin e shoqërive serioze të konsulencës dhe kjo na ka mundësuar të bëhemi pjesë edhe ne arkitektet kur ndërkohë më parë veprat publike ishin kryesisht në infrastrukturë rrugore dhe vetëm objekte utilitare, si shkolla apo institucione tepër të domosdoshme. Ndjehet nje strategji e qartë në territor për t’i konceptuar investimet publike si një network të ndërlidhur për të sjellë zhvillim të qëndrueshëm veçanërisht në turizëm i cili për rrjedhojë të kësaj startegjie ka njohur rritje progresive dhe të ndjeshme.Kemi qenë edhe ne si DEA të perfshirë si aktor profesional i këtij ndryshimi nëpërmjet projektimit të shumë hapësirave publike të rëndësishme, të cilat menjëherë kanë gjeneruar investime të tjera private të qëndrueshme dhe punësim. Kjo është qasje dhe mendoj se është rruga e duhur. Shqipëria dhe veçanërisht Tirana po kalon një moment shumë të mirë. Jo nga të gjithë kuptohet, por siç e thashë edhe me parë dukjen do ta ketë mbas të paktën 10-15 vitesh kur të gjitha elementet e strukturës urbane në kompleks të jenë kolauduar dhe të funksionojnë simultan.

Së fundmi keni fituar vendin e parë në konkursin ndërkombëtar për Kompleksin e Skijimit Borea në Pejë. 

Po, në fakt shenjon një arritje tepër të rëndësishme në karrierën tonë lidhur me tipologjinë dhe rëndësinë e projektit, kemi të bëjmë me investim ndërkombetar dhe për faktin qe do të realizohet në Kosovë. Ështënjë kompleks i pritur prej shume kohësh nga Pejanët, por edhe gjithë Kosova pasi ka qenë nga ato ëndrrat e hershme e ngelura në përgjumje, që në vitet 70′. Besoj se i’a kemi dalë të bindim jurinë dhe klientët ndërkombëtare për të realizuar një kompleks me identitet te spikatur. Kemi ndërthurur më së miri jetën publike të qendrës së qytetit të Pejës me atë të klientelës së kompleksit privat hotelier te skijimit. E gjitha një skenografi urbane ku interesi privat-publik bashkëjetojnë dhe ndërthuren ngushtësisht me njëri-tjetrin.

Ju falenderojmë për intervistën. 

Ju falenderoj edhe unë për mundesinë që më dhatë për të dalë jashtë "guackës së kreativitetit".