Transmetuar më 19-10-2018, 22:22

Një në pesë fëmijë vjen në jetë përmes lindjes cezariane. Studimet tregojnë se ka një trefishim të lindjeve me operacion në nivel global, ndërsa ky fenomen është në rritje edhe në Shqipëri.

Rezulton se përgjatë vitit 2017, 40% e lindjeve janë kryer me ndërhyrje, duke pësuar një rritje me afro 2% krahasuar me një vit më parë.

Arben Rrugia, drejtori i Maternitetit “Koço Gliozheni”, thotë për Ora News se obeziteti është një ndër arsyet e këtyre lindjeve.

“Një problematikë tjetër që ka çuar në rritjen e lindjeve me operacion është obeziteti. Kemi gjithashtu edhe efektin që sjell lindja e parë me operacion, ku edhe lindjet e tjera shkojnë drejt ndërhyrjes me operacion.Të gjitha gratë mendojnë se lindja me operacion është një lindje e thjeshtë dhe pa problematika, megjithatë ajo ka problematikat e saj. Është një ndërhyrje, është një intervent që mund të shoqërohet dhe me komplikacione, të cilat mund të jenë dhe fatale”, thotw mjeku.

Listën e kryeson Librazhdi, ku 67% grave aty kanë zgjedhur operacionin dhe jo lindjen natyrale, pasuar nga Saranda dhe më pas Berati.

Ndërsa Dibra është i vetmi qark që në katër vitet e fundit ka shënuar një rënie te lindjeve çezariane.

Por drejtori i Maternitetit “Koço Gliozheni”, Arben Rrugia, thotë se edhe në Tiranë ka një ndërgjegjësim të grave shtatëzënë për lindje natyrale.

Arben Rrugia: Ne përballojmë fluksin më të lartë të lindjeve problematike dhe ky është dhe një nga shkaqet që sjell dhe një rritje pak më tepër mbi nivelin kombëtar. Por këtë vit, në maternitetin tonë nga 40.5% që ishim vitin e kaluar, jemi diku tek 38.5%. Rekomandimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë është i tillë që numri i lindjeve me operacion nuk duhet të jetë më i lartë se 15%.