Transmetuar më 20-10-2018, 08:53

Policia Rrugore e Tiranës ashtu si çdo fundjavë, me synim parandalimin e aksidenteve, natën mes të premtes dhe të shtunës ka vijuar kontrollet në rrugën interurbane Tiranë-Durrës-Tiranë.

Prej pesë orësh kontroll me Radar, konstatimet ishin të shumta në drejtim të shpejtësisë tej normave të lejuara që arrinin deri dyfishin e limitit të lejuar.

Rezultoi se shpejtësitë varionin nga 140 km/h deri në 189 km/h.

“17 patenta të pezulluara, 17 jetë të shpëtuara. Shpejtësi të tilla janë rrezik shumë i madh për jetën e drejtuesve të automjeteve si dhe për përdoruesit e tjerë të rrugës. S.A., 39 vjeç nga Kruja me 157 km/h dhe K.S., 27 vjeç nga Shkodra me 189 km/h, me justifikime absurde para punonjësit të policisë me qëllim faljen”, thotë policia.

Policia Rrugore deklaron se është në rrugë vetëm me një qëllim, të parandalojë aksidentet rrugore dhe t’ju vijë në ndihmë drejtuesve të mjeteve në nevojë.

Po ashtu nënvizohet se Policia Rrugore është humane dhe tolerante aty ku ka arsye. Bëhet me dije se drejtuesi i mjetit A.A., nga Vora që shpejtonte të çonte nënën në spital, jo vetëm nuk u ndëshkua por u njoftua dhe salla për ta ndihmuar shërbimet e tjera të policisë në qytet në mënyrë që të mbërrinte sa më shpejt në spitalin “Nënë Tereza”.

“Stop shpejtësisë, se destinacioni nga shtëpia, bëhet spitali”, thuhet në apelin e Policisë Rrugore. /a.y/noa.al