Transmetuar më 20-10-2018, 13:48
Etilda Gjonaj, Gjin Gjoni

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj denoncon atë që e quan vendim të fshehtë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për gjyqtarin dhe anëtarin Gjin Gjoni.

Në një deklaratë për mediat ditën e sotme, ministrja tha se në mbledhjen KLD të datës 11 tetor 2018, në rendin e ditës është shtuar një çështje e panjoftuar, nga gjyqtari Gjin Gjoni për leje prindërore dy vjet. Kjo me argumentin se duhet të shkojë tek e shoqja në Gjermani, pasi është bërë baba me një vajzë dhe do i duhet të udhëtojë shpesh, për shkak se në atë shtet jeton familja e tij.

Sipas saj, kërkesa është miratuar nga shumica e KLD në mënyrë abuzive, duke e vënë edhe njëherë në pikëpyetje legjitimitetin e këtij institucioni.

Ministrja tha se këto vendime të KLD janë në shkelje të rëndë të ligjit dhe se ky akt i ndërmarrë me procedurë të parregullt është i pavlefshëm.

Ajo deklaroi se kërkesa është shqyrtuar në mënyrë të paligjshme në fund të mbledhjes.

Në vijim sqaroi se KLD mund të marrë çështje të papërfshira në rendin e ditës, vetëm me votat e 2/3 të gjyqtarëve.

“Pa kuorum, duke përfshirë edhe votën e Gjin Gjonit, KLD i ka shkuar deri në fund një paligjshmërie të këtyre përmasave. KLD mbajti të fshehtë vendimin për gjyqtarin Gjin Gjoni, ndërsa në procesverbal zbulohet mjaft mirë leja prindërore e Gjin Gjonit. Do t’i drejtohem zyrtarisht këtij institucioni që të shfuqizojë vendimin e marrë në shkelje të ligjit, në të kundërt kërkesa do t’i drejtohet gjykatës”, deklaroi ministrja e Drejtësisë. /a.y/noa.al

Procesverbali i mbledhjes se KLD by Anonymous HEo0Kq on Scribd