Transmetuar më 21-10-2018, 18:12

Policia e Shtetit njoftoi pasditen e sotme se ka kryer arrestimin e ish Drejtorit të Përgjithshëm të burgjeve Arben Çuko.

Sakaq ka reaguar edhe Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila shprehet se i më 3.09.2018 i ka propozuar Kryeministrit shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të burgjeve, Arben Çuko.

“E përshëndes dhe e mbështes prokurorinë në zbardhjen deri në fund të veprimeve të ish-drejtorit dhe shpreh edhe njëherë vullnetin e hekurt të qeverisë shqiptare për të luftuar korrupsionin pa bërë dallime të asnjë natyre", shprehet Gjonaj.

"Vija e sjelljes së kësaj qeverie ndaj korrupsionit është e qartë: Çdokush që shkel ligjin ka punë me drejtësinë. Pa dallim ngjyre, përkatësie politike apo ideje të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe do të përgjigjen po njësoj përpara tij”, shprehet Etilda Gjonaj.

Arben Çuko akuzohet se është i përfshirë në korrupsion pasiv, gjatë kohës që ushtronte detyrën e Drejtorit të Burgjeve.

Urdhër arresti ndaj tij u ekzekutua sot pasdite./a.k/noa.al/