Transmetuar më 22-10-2018, 14:36

Drogë, armë dhe sende të ndaluara, të kapur në befasi teksa qëndronin në lokale, udhëtonin me makinë apo ndodhshin në banesë.

Është kjo ajo që shihet në videon e arrestimit të 27 personave në megaoperacionin e kryer gjatë fundjavës së lënë pas, kur u shkatërruan katër grupe kriminale.

Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu bashkë me kryeprokuroren e Krimeve të Rënda, në një konferencë për mediat ditën e sotme bënë me dije se përgjatë orëve të fundit është finalizuar një mega operacion i koduar “VOL-VO 4”, i shtirë në 12 qytete nga Hasi deri në Sarandë, ku janë goditur anëtarë nga katër grupe të skeduara kriminale, në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”.

Forcat policore, RENEA, FNSH, ato operacionale në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë kanë ushtruar kontrolle në qytetet Shkodër, Has, Lezhë, Shijak, Elbasan, Durrës, Fier, Vlorë, Tiranë, Patos, Sarandë dhe Delvinë.

Gjatë këtij operacioni janë arrestuar 27 shtetas dhe 6 u shpallën në kërkim. Gjithashtu u godit një laborator i përpunimit të heroinës në fshatin Brenog në Has, ku ndër të tjera janë sekuestruar 182.5 kg morfinë, e ndarë në 175 pako, 22 litra lëndë e lëngshme, të cilat përdoreshin për prodhimin e heroinës.

Procedimi për këtë operacion ka nisur pas një referimi të Policisë së Shtetit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Gjatë kësaj periudhe, veçanërisht me intensitet në muajt e fundit, për dokumentimin e kësaj dosjeje, janë përdorur metoda speciale të hetimit. Në këtë procedim penal janë me mijëra orë përgjime, filmime, përgjime ambientale, vëzhgime me dron, mijëra faqe me shkresa dhe këmbim informacioni e korrespodencë me agjenci ligjzbatuese brenda e jashtë vendit.

Goditja e kësaj veprimtarie kriminale është bërë në periudha të ndryshme, duke u finalizuar këtë fundjavë.

Në goditjen finale morën pjesë rreth 1500 forca policore operacionale, FNSH, RENEA dhe nga efektivë nga policia lokale.

Në datë 18 tetor në mëngjes u ushtrua kontroll në banesën e shtetasit Mustaf Shuti në fshatin Brenogë, Has, ku u gjetën prekursorë për prodhimin e lëndës narkotike.

Të arrestuar në flagrancë janë 5 persona,  për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikim i narkotikëve”, “Prodhimi dhe fabrikimi i lëndëve narkotike”, në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe organizatë kriminale Vehbi Berushi, 57 vjeç, Flamur Çela, 48 vjeç, Xhevit Shuti, 48 vjeç, Mustaf Shuti, 76 vjeç dhe Anila Shuti, 42 vjeç

Gjithashtu janë shpallur në kërkim katër persona, dy shtetas turq, një kosovar dhe një shqiptar.

Në zbatim të vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, janë ekzekutuar vendime penale në disa qytete, si dhe janë ushtruar rreth 100 kontrolle banesash dhe ambientesh të tjera.

Të arrestuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikim i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe organizatë kriminale, si dhe pastrim i produkteve të veprës penale janë 18 persona:

Jasin Kala, alias Jasin Avdyli, me pseudonimin “Cine”, nga Shijaku; Shkëlqim Avdyli, me pseudonimin “Kiçi”, nga Shijaku; Denis Llaftiu, nga Shijaku; Fatos Llaftiu, nga Shijaku; Hajri Seferi, nga Shijaku;   Petro Kuci, alias Abedin Kuçi, nga Delvina; Ilirjan Prifti, nga Fieri; Elton Shehaj, nga Tirana; Armand Spiro, nga Tirana; Astrit Balliu, alias Avdyli, Sulejmani, me pseudonimin “Titi”, nga Shijaku; Altin Avdyli, me pseudonimin “Niçja”, nga Shijaku; Saimir Gjepali, nga Shijaku; Gjevi Ndoka, alias Xhevahir, me pseudonimin “Xhevi”, nga Lezha; Esat Mehmeti, me pseudonimin “Çakja”, nga Fieri; Saimir Sulejmani, nga Fieri; Orges Jahelezi, alias Artan Elezi, me pseudonimin”Nita”, nga Tirana; Elis Bahushi, nga Elbasani; Elis Guri, nga Shkodra dhe Artur Balla, nga Elbasani.

Gjithashtu u shpallën në kërkim dy persona M.Z., dhe P.S.

Në kuadër të këtij mega operacioni, ku u goditën katër grupe kriminale, është zbuluar edhe implikimi i tre punonjësve të Policisë së Shtetit. Ata akuzohen për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufijve”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe organizatës kriminale.

Efektivët e arrestuar janë Ardit Gjyriqi, nga Tirana;  Jasin Abduli, nga Saranda dhe Bledar Koçi, nga Lushnja.

Ndërkohë në kuadër të këtij procedimi janë arrestuar më herët edhe 12 persona për vepra të ndryshme penale që lidhen me fushën e narkotikëve..

Gjatë kontrolleve të ushtruara u sekuestruan 3 pistoleta;  armë gjahu, çifte dhe fishekë; një shotgan; Presë për lëndë narkotike të llojit heroinë; peshore elektronike; sasi lëndë narkotike heroinë e kokainë; 13 mjete, njëri i blinduar; sasi e konsiderueshme parash dhe treth 75 telefona celularë. /a.y/noa.al