Transmetuar më 22-10-2018, 16:02

Vera tashmë mbaroi dhe vjeshta është në prag me temperaturat më të ulëta dhe me luhatjet e tyre të herëpashershme: kalimi nga i nxehti në të ftohtë dhe veshjet e verës të shfrytëzuara deri në momentin e fundit, nuk janë me siguri miku më i mirë i shëndetit. Si t’ia bëni për të shmangur ftohjen e parakohshme, dhembjen e fytit dhe simptomat e gripit?

Ndër “ilaçet” natyrale, ai më efikasi është propolisi, i përdorshëm edhe për fëmijët. Të mirat e tij antibakteriale dhe antivirale në fakt njihen më së shumti: 15 pika tri herë në ditë ndihmojnë në parandalimin e ftohjes, por në raste ekstreme, ju mund të merrni në konsideratë një veprim më intensiv; prej tij hidhni një lugë gjelle në kos për mëngjes.

Gripin dhe simptomat e stinës mund t’i  parandaloni edhe në tryezë. Merrni të gjitha vitaminat dhe forconi sistemin tuaj imunitar!

Ushqimet ideale janë padyshim agrumet, të pasura me vitaminë C, portokalli, kivi, papaja, por edhe perimet, si specat, qepa, karotat dhe rukola, janë perfekte.

Nuk mund të mungojnë më pas edhe ushqimet si peshku, i pasur me Omega 3, i pakrahasueshëm për shëndetin e sistemit kardiovaskular: për t’u futur në dietë janë edhe molusqet, të pasura me kripëra minerale si hekur, zink dhe selen.

Lëngjet e frutave dhe çajet e shumëllojshme me prejardhje bimore, japin efekte lehtësuese në rrugët e frymëmarrjes dhe në fyt, duke bërë që kolla të zbutet. Mjekët rekomandojnë pirjen në sasi të mëdha të këtyre lëngjeve, dy deri në tri litra në ditë.

Mjalti ka aftësi kuruese për vetë vitaminën B që përmban. Mjalti përmban veti dezinfektuese për plagë dhe gërvishtje të lëkurës. Sipas një studimi, mjalti triumfon mbi shtatë lloje të ndryshme bakteresh. Kështu që janë identifikuar edhe aftësitë e tij kundër gripit. Përveç shërimit të jashtëm, mjalti ka edhe veti kuruese të brendshme, si në qetësimin e stomakut. Do të ishin të rekomandueshme dy lugë çaji mjaltë në ditë.

Një bimë që përdoret kundër kollës është lulja e blirit. Mjekët këshillojnë të pihet tre deri në katër gota me çaj bliri në ditë nga njerëzit që kanë kollë. Efektet do të jenë të menjëhershme./b.l/noa.al/