Transmetuar më 22-10-2018, 21:45

Nga studioja e “Open” në Top Channel, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se dy nga kriminelët e arrestuar ditën e djeshme, e njohur si banda e “Avdylajve” në Durrës ka lidhje me kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako.

Ai ka treguar edhe një foto të kryeministrit me një tjetër person për të cilin Berisha, tha se është “Peçe Avdyli”. Më tej Berisha tha se ata kanë ndikuar edhe në zgjedhjet lokale.

“Lidhjet e Avdylit me Edi Ramën janë të faktuara. Ka video që tregojnë lidhjet e Gjushit me Avdylin, të Ramës me Avdylin. Këta kanë emëruar inspektorin e mjedisit në Durrës, inspektorin e AKU-së. Lidhjet midis bandave, Avdylt, Bajrajt, Nokajt, por në krye të tyre ka qenë Geron Xhafa”, tha Berisha.

Për ish-kryeministrin Berisha operacioni i fundit i cilësuar i suksesshëm nga policia është dekonspiruar nga vetë uniformat blu.

“E vërteta është që fundjava mbi të gjitha mund të quhet dekonspirimi i operacioneve ndërkombëtare. Siç e the vetë janë lëshuar 46 urdhër-arresti, por janë arrestuar vetëm 26 vetë pasi të tjerët janë larguar, ata që mbrohen nga politika.

Raportet flasin për 5.2 tonelata heroinë po të kthesh opiumin në heroinë. Mos harro se lëvizin 5 tonelata heroinë për 2 apo 3 fshatarë, ata kanë një proteksion të madh shumë. 5.2 tonelata heroinë janë një sasi e madhe për europën. Partnerët nuk dështua, ata e kapën drogën, por nuk u kapën bosin.

U kapën fshatarët, një punonjës zjarrfikësish në Shkodër dhe një biznesmen turk. Aksioni është dekonspiruar nga policia. Kupola politike e kësaj sasie kolosale u njoftua për këtë. Droga i përkiste një kupole të lartë”, u shpreh ish-kryeministri Berisha.