Transmetuar më 22-10-2018, 22:51

Në studion e ‘Opinion’ kreu i opozitës Lulzim Basha, ka deklaruar se çështja Xhisiela është radiografi e sistemit që ka ngritur kryeministri Edi Rama.

Sipas tij Rama ka shkuar në një vend si Fush-Kruja ku mbizotërojnë bandat dhe krimi dhe ka vendosur një kandidatë si ‘të fortë’ Rraja.

“I thonë më i forti është Rahman Rraja. Ai e vë deputet dhe i thotë do fitosh Krujën. I thotë do më sjellësh votën me çdo kusht. Futet Rahmani në fushatë, djali i vet në ditët e votimeve është kërkim policor sepse kërcënon aktivistët e opozitës me armë. Nuk i ndodh asgjë dhe nuk arrestohet. Sjell mandatin me mënyrat e tij dhe të Artur Bushit, me dhunë me lekë me të gjitha mënyrat. Dhe pasi sjell mandatin Rama i thotë ti je çifligar i Krujës, vrit e prit kë të duash dhe Rahman Raja bën atë që di të bëjë më mirë”, tha Basha.

Sipas opinion.al, Basha u shpreh se që në vitin ’98 Rahman Rraja ka patur problem me Policinë dhe familja e tij është një familje lokale kriminale.

Më tej Basha vazhdoi versionin e tij të historisë së çështjes Xhisiela.

“Derisa arrin puna që merr një vajzë jetime e dhunon e përdhunon dhe 6 muaj ajo mundohet ta denoncojë. Derisa vete jep deklaratën tek një oficer Emiljano Nuhu i cili merr kallëzimin dhe shoqëron djalin e deputeti. Dhe kur do ta arrestojë i vendosin pistoletën në kokë,” u shpreh Basha.