Transmetuar më 23-10-2018, 10:35

Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Partisë Socialiste, u mor vendimi për shkarkimin e 11 kryetarëve socialistë në rrethe.

Ishte ky vendimi i marrë nga kreu i qeverisë Edi Rama, lidhur me drejtuesit që nuk e kanë bërë punën siç duhet dhe nuk kanë përmbushur objektivat.

Mes kryetarëve të degëve të PS të shkarkuar mësohet se është ai i Memaliaj, Selenicës, Delvinës, Devollit dhe Cërrikut.

Po ashtu gjatë mbledhjes u paralajmërua edhe shkarkimi i disa drejtorëve.

Sakaq zëdhënësja e Kryesisë së PS, Elisa Spiroropali deklaroi në përfundim të mbledhjes se, “Jemi shkarkuar kryetarë degësh të PS, por lista do të bëhet prezente më vonë”.

Ajo deklaroi se drejtuesit politikë do të rrisin prezencën në territor dhe do të bëjnë analizë të thelluar në terren.

Mësohet se nga ana e tij Kryeministri Edi Rama ka kërkuar që të identifikohen drejtorët që nuk punojnë siç duhet dhe të merren vendime për disa shkarkime.

Sakaq ditën e djeshme Rama mblodhi grupin parlamentar të Partisë Socialiste, ku i etiketoi si “legenë” ata drejtorë që kësaj mazhorance po i nxijnë fytyrën.

“Kemi ca drejtorë legena që po na nxijnë fytyrën, me korrupsion dhe keqmenaxhim”, mësohet të jetë shprehur Rama gjatë mbledhjes.

Kujtojmë se gjatë ditës së diel, u bë arrestimi i ish- drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve njëherazi ish-deputetit socialist, Arben Çuko, i akuzuar për korrupsion.

Po në të njëjtën ditë u arrestua edhe ish-deputeti socialist Arben Ndoka, i akuzuar për falsifikim dokumentesh, me synim tjetërsimin e tokës. /a.y/noa.al

“Drejtorët legena po na nxijnë fytyrën”, Rama mbledh Kryesinë, shkarkohen kryetarë në rrethe