Transmetuar më 23-10-2018, 12:24

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, thotë se është thirrur sot në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për hetimin, lidhur me nxjerrjen e sekretit shtetëror sa i takon veprës kriminale të futjes së parave të krimit me makinat ‘Toyota Yaris’.

Në dalje prej organit të akuzës mesditën e sotme, ai tha se ky veprim provon se deklaratat e tij publike për përfshirjen e Taulant Ballës në dhënien e garancive politike për trafikimin e parave të pista janë të vërteta.

Por ai shtoi se në këtë aferë janë përfshirë edhe dy deputetët e Partisë Socialiste, Ulsi Manja dhe Jorgis Çyrbja, përveç Taulant Ballës.

“Në vend që të hetojë se kush qëndron prapa transaksioneve kriminale të miliona eurove në ‘Toyota Yaris’ dhe kush i garanton këto akte kriminale, i trajton si nxjerrje të sekretit shtetëror. Prokuroria ka përgjime zyrtare dhe prova për të kërkuar menjëherë arrestimin e Taulant Ballës. Ka prova dhe fakte për ta kërkuar dekada burg për Saimir Tahirin, Qazim Sejdinin, Vangjush Dakon, Damian Gjiknurin. Ka fakte dhe prova për ta zhdukur Fatmir Xhafajn nga politika”, u shpreh Balla.

Por sipas tij e kapur nga pushteti i Edi Ramës dhe krimi i organizuar, Prokuroria i trajton lidhjet politikë-krim, si sekret shtetëror.

Megjithatë kryeopozitari tha se nuk është i paduruar dhe se e di se drejtësia mund të vonojë por nuk do të mungojë.

“Do të vijë dita kur para drejtësisë të jenë edhe veglat e krimit të organizuar, bashkë me Arta Markun dhe Donika Prelën”, ta në mbyllje Lulzim Basha.

Basha ishte sot në Prokurorinë e Krimeve të Rënda lidhur me bllokimin e dy makinave Toyota Yaris, me 3.4 milionë euro të fshehura.

Kjo pasi Balla ka bërë padi ndaj Bashës, për dekonspirim të operacionit për kapjen e makinave me paratë brenda, të cilat u bllokuan në portin e Durrësit.

Gjithçka pasi dy ditë para operacionit kryedemokrati Lulzim Basha, bëri një deklaratë në parlament lidhur menjë makinë e cila transportonte miliona euro.

Lidhur me bllokimin e parave, janë arrestuar Agim Çeka, 61 vjeç, lindur në Luz i Madh, banues në Durrës; Edi Lika (Cani), 41 vjeç, lindur në Dibër, banues në Tiranë, i biri Klevis Lika, 21 vjeç, lindur në Bulqizë, banues në Tiranë dhe Alban Mollaymeri, 40 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.

Gjithashtu janë shpallur në kërkim kushërinjtë Alfred Vladi dhe Elvis Vladi, si porositës të ngarkesës me sasinë e parave, të cilat u zbuluan në portin e Durrësit. /a.y/noa.al