Transmetuar më 23-10-2018, 13:38

Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu në një dalje për mediat ditën e sotme, informoi lidhur me operacionin “Ndëshkimi i të fortëve” për të cilët tha se nuk do të gjejnë paqe.

Ai deklaroi se operacioni i orëve të fundit ‘Vol-Vo 4” goditi anëtarët e katër grupeve kriminale dhe pati një shtrirje në 12 qytete, pa asnjë dekonspirim, megjithë përmasat jo të zakonshme të një operacioni policor, me 1500 efektivë në terren.

“Për shumë grupe të tjera të skeduara tashmë në hetimet intensive prej shumë muajsh, janë në rrugë të mbarë dhe do të ketë shpejt të tjera rezultate domethënëse në këtë luftë pa kompromis. Që nga mesi i muajit shtator në zbatim të një porosie të Kryeministrit të vendit dhe me urdhër të Ministrit të Brendshëm, Policia e Shtetit programoi zhvillimin e një operacioni kontrolli, parandalimi dhe ndëshkimi në territor”, u shpreh Veliu.

Ai shtoi se nga Drejtoritë Vendore të Policisë së qarqeve fillimisht u hartuan lista nga çdo Komisariat dhe zonë policore, individët me precedentë kriminal, me rrezikshmëri shoqërore si dhe individët problematikë me sjelljet e tyre të dhunshme në mjediset shoqërore.

Kryepolici deklaroi se operacioni policor i koduar “Ndëshkimi i “Të fortëve” identifikon dhe ndëshkon individët që në shkelje të hapur të ligjit, cenojnë rendin e qetësinë publike dhe guxojnë të sfidojnë autoritetin e shtetit dhe forcën e ligjit.

Sipas tij, ky operacion është pro-aktiv dhe se dorcat policore të programuara për këtë operacion shkojnë dhe kontrollojnë kryesisht individët me problematika në fushën e rendit sipas një skedari emrash të hollësishëm, kudo që ata ndodhen dhe nuk i pret ata në postbllok apo t’i ndalojë kur përfshihen në ngjarje kriminale.

Nga data 20 shtator Drejtoritë Vendore të Policisë, Forcat Operacionale, FNSH, e posaçërisht forcat RENEA sipas një plan veprimi të detajuar janë angazhuar gjerësisht në territor në realizimin e Operacionit policor të koduar “Ndëshkimi i “Të fortëve”.

“Të gjithë këtë aktivitet të shtirë në çdo skaj të vendit gjatë kësaj periudhe e kemi zhvilluar qëllimisht në heshtje publike, duke patur interes të parë, rezultatet. Sot jemi këtu pikërisht për t’ju bërë me dijet rezultatet më të rëndësishme konkrete të javëve të para të cilat janë premtuese, çka do të thotë se operacioni do të jetë i suksesshëm edhe në etapat e mëtejshme. Më konkretisht, gjatë veprimit të Forcës së Ligjit në territor në kuadrin e Operacionit policor “Ndëshkimi i “Të fortëve”, nga strukturat vendore të Policisë janë kryer kontrolle për personat me precedentë kriminal aktiv, personat në kërkim dhe personat si prishës sistematik të rendit publik” deklaroi Veliu.

Ai tha se këto janë disa nga rezultatet në tregues konkret, gjatë këtyre javëve të veprimit të operacionit në territor.

Kreu i policisë bëri me dije se janë arrestuar vetëm në kuadrin e këtij operacioni, mbi 300 persona në kontrollet pro aktive në territor, ndër ta rreth 160 persona të identifikuar me precedentë apo prishës të rendit, të konsideruar si ‘të fortë’ janë ndaluar apo arrestuar, ndër ta rreth 70 vetë për armëmbajtje pa leje.

Gjithashtu janë kapur e arrestuar 154 persona për të cilët ka patur një urdhër kërkimi kombëtar dhe 14 të tjerë në kërkim ndërkombëtar, për vepra të ndryshme penale.

Ndër provat e sekuestruara gjatë kontrolleve të ushtruara ndaj tyre në akset rrugore, banesa, lokale etj., janë sekuestruar 43 armë zjarri të llojeve të ndryshme, automjete dhe një sasi e konsiderueshme parash.

Policia e Shtetit, duke përfituar nga rasti kërkon ndjesë, nëse në ndonjë rast kontrollet e ushtruara në ambiente publike krijojnë shqetësim, por e konsideron me shumë rëndësi vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që tentojnë të sfidojnë autoritetin e shtetit, nën petkun e “të fortit”.

“Nuk ka të fortë përballë autoritetit të ligjit! ‘Forca e Ligjit në Territor’ përmes Operacionit policor “Ndëshkimi i “Të fortëve” nuk do të ndalet këtu, por do të vijojë ditë pas dite, javë pas jave, duke ndëshkuar ashpër me autoritetin dhe forcën e ligjit çdo individ shkelës të ligjit dhe sfidues të autoritetit të shtetit që do të guxojë të cenojë jetesën normale të qytetarëve, rendin e qetësinë publike”, deklaroi Veliu.

Ai bëri me dije se në ditët e ardhshme Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit do të prezantojnë një paketë masash të forta ligjore, administrative e operacionale për parandalimin dhe ndëshkimin e krimit në territor në funksion të rendit e sigurisë publike dhe një marrëdhënie të re midis Policisë dhe Komunitetit.

Po ashtu në emër të Policisë së Shtetit u bëri apel qytetarëve të kontribuojnë për rritjen e parametrave të sigurisë, mbrojtjen e rendit, qetësinë publike, respektimin e ligjit nga të gjithë, për vendosjen e autoritetit të shtetit, përmes telefonatave falas në numrin 112. /a.y/noa.al