Transmetuar më 23-10-2018, 13:57

Plot 300 persona janë arrestuar gjatë ditëve të fundit, në kuadër të operacionit “Ndëshkimi i të Fortëve”.

Është kjo deklarata e bërë ditën e sotme nga drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, ku tha se vetëm operacioni i orëve të fundit ‘Vol-Vo 4” goditi anëtarët e katër grupeve kriminale dhe pati një shtrirje në 12 qytete, pa asnjë dekonspirim, me gjithë përmasat jo të zakonshme të një operacioni policor, me 1500 efektivë në terren.

Kryepolici deklaroi se operacioni policor i koduar “Ndëshkimi i ‘të fortëve” identifikon dhe ndëshkon individët që në shkelje të hapur të ligjit, cenojnë rendin e qetësinë publike dhe guxojnë të sfidojnë autoritetin e shtetit dhe forcën e ligjit.

Ai bëri me dije se nga data 20 shtator Drejtoritë Vendore të Policisë, Forcat Operacionale, FNSH, e posaçërisht forcat RENEA sipas një plan veprimi të detajuar janë angazhuar gjerësisht në territor në realizimin e Operacionit policor të koduar “Ndëshkimi i “Të fortëve”.

Kreu i policisë bëri me dije se janë arrestuar vetëm në kuadrin e këtij operacioni, mbi 300 persona në kontrollet pro aktive në territor, ndër ta rreth 160 persona të identifikuar me precedentë apo prishës të rendit, të konsideruar si ‘të fortë’ janë ndaluar apo arrestuar, ndër ta rreth 70 vetë për armëmbajtje pa leje.

Gjithashtu janë kapur e arrestuar 154 persona për të cilët ka patur një urdhër kërkimi kombëtar dhe 14 të tjerë në kërkim ndërkombëtar, për vepra të ndryshme penale.

Ndër provat e sekuestruara gjatë kontrolleve të ushtruara ndaj tyre në akset rrugore, banesa, lokale etj., janë sekuestruar 43 armë zjarri të llojeve të ndryshme, automjete dhe një sasi e konsiderueshme parash.

“Nuk ka të fortë përballë autoritetit të ligjit!”, deklaroi prerazi Veliu, ndërkohë që u publikuan edhe pamjet e aksionit për arrestimin e të dyshuarve. Në videot që shoqërojnë shkrimin mund të shihni momente nga arrestimet dhe sekuestrimet e sendeve të paligjshme. /a.y/noa.al

“Ndëshkimi i të fortëve”, Veliu: Nuk do gjejnë paqe, 300 të arrestuar

Shkatërrohen katër grupe kriminale, 27 të arrestuar, tre policë të përfshirë/ Emrat