Transmetuar më 23-10-2018, 15:10

Pas publikimit të të dhënave për operacionin “Ndëshkimi i të fortëve” të nisur që prej 20 shtatorit që ka çuar në pranga mbi 300 persona, ka reaguar edhe Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Përmes një postimi në Twitter, Xhafaj shkruan se do të ketë ndëshkim për të gjithë ata që bëjnë të fortin në lokale, lagje e qytete, ndërsa kërcënon se kush do guxojë të bëjë të fortin përballë shtetit, Policia do i nxijë jetën.

“Forca e Ligjit në veprim, parandalim dhe ndëshkim të veprimtarisë kriminale. Operacioni policor ‘Ndëshkimi i ‘të fortëve’ në kontrollin e territorit rezultate të jashtëzakonshme. Në rreth 30 ditë, mbi 300 persona të arrestuar!

Mjedis mbytës dhe Ndëshkim për ata ‘Të fortët’ e lokaleve, lagjeve & qyteteve tona dhe shantazhuesve të biznesit. Qetësi, rend e siguri për qytetarët, kudo që ata janë. Kush guxon të bëj ‘të fortin’ përball shtetit, Policia do t’i ‘nxijë’ jetën!”, shkruan Xhafaj.

Ministri paralajmëron se së shpejti do të prezantohet paketa antikrim me masa më të ashpra.

“Shumë shpejt prezantojmë paketën antikrim me masa më të ashpra. Aksione të tjera dhe rezultate konkrete. Kjo është Policia e Shtetit në veprim me Forcën e Ligjit, në shërbim të qytetarëve!”, përfundon shkrimin Xhafaj./b.l/noa.al/