Transmetuar më 23-10-2018, 15:54

Ministrja e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, znj. Olta Xhaçka priti sot homologen e saj italiane, znj. Elisabetta Trenta. Gjatë takimit ministrja Xhaçka vlerësoi Italinë si një nga partnerët më të ngushtë dhe aleate historike e rrugëtimit të Shqipërisë për integrim në strukturat euro – atlantike.

“Gjej rastin të theksoj se Italia mbetet, padyshim, një nga partnerët më të ngushtë dhe aleat historik i rrugëtimit tonë, jo të lehtë, për integrim në strukturat euro-atlantike. Sikundër është edhe një prej mbështetësve më luajalë të aspiratës së shqiptarëve për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, në një të ardhme të afërt. Dhe kur flas për “mbështetje” i referohem së pari mikpritjes, pranimit, tolerancës dhe dashamirësisë të treguar për mijëra e mijëra familje shqiptare, të cilat tashmë ndihen në Itali si në atdheun e tyre”, u shpreh Xhaçka.

Ministrja Xhaçka i konfirmoi homologes Trenta vullnetin e plotë të Shqipërisë për të vijuar me ritmin që kërkohet përfaqësimin në operacionet, misionet dhe iniciativat në kuadër të NATO-s. Ajo vuri në dukje se vetëm këtë vit, Shqipëria ka dyfishuar trupat ushtarake pjesëmarrëse në Resolute Support Mission në Afganistan.

“Diskutuam se prezenca e ushtarakëve tanë në KFOR Kosovë janë shembull korrektësie dhe bashkëpunimi, reflektim i qartë i dëshirës tonë për paqe, stabilitet, bashkëpunim dhe bashkëjetesë në rajon. Pa më të voglin dyshim Shqipëria dhe shqiptarët do të vijojnë të jenë faktorë stabiliteti dhe promotorë të politikave integruese për vendet e Ballkanit.

Sjell në vëmendjen tuaj, se vitin që vjen Shqipëria do të ketë kryesimin e disa iniciativave rajonale siç janë iniciativa SHBA-Karta e Adriatikut (A5) dhe Iniciativa e Ministerialit te Mbrojtjes së Evropës Juglindore. Do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme për të dhënë kontributin maksimal në forcimin e bashkëpunimit dhe ndërveprimit në rajonin tonë”, tha Xhaçka./b.l/noa.al/