Transmetuar më 23-10-2018, 20:32

Në vijim të diskutimeve për buxhetin e bashkisë për vitin 2019, Erion Veliaj u ndal në njësinë bashkiake numër 3.

Ai bëri një përmbledhje të punëve dhe të investimeve të bëra në këtë njësi, si dhe prezantoi disa prej projekteve që janë parashikuar për t’u kryer në vitin e ardhshëm.

“Në këtë shtëpinë tone, që tani ka 27 njësi, jemi munduar të bëjmë maksimumin, kemi rritur të ardhurat e Bashkisë si kurrë më parë dhe si një familje nikoqire po mundohemi që të jemi prezentë në çdo njësi”, tha Veliaj.

Duke i cilësuar si tre vite tepër të suksesshme deri më tani, Veliaj renditi disa prej projekteve strategjike të realizuara në kryeqytet si Pazari i ri, Bulevardi i ri dhe Rehabilitimi i Lumit të Tiranës, ndërtimi i Unazës së Vogël, rikonstruksioni i Sheshit “Skënderbej” apo dhe rehabilitimi i Parkut të Madh të Tiranës etj.

Ai siguroi qytetarët se edhe në këtë vit të fundit të mandatit të parë, do të vijohet me të njëjtin ritëm të lartë.

“Ka qenë një trevjeçar që ka prekur gjithë Tiranën. Falë fuqisë që na jep qeveria qendrore dhe falë fitores sonë në Tiranë në vitin 2015, arritëm t’i realizonim të gjitha. Unë besoj se i kemi kthyer fytyrën Tiranës, jo vetëm në investime, por edhe në mentalitet”, tha Veliaj.

Më konkretisht në Njësinë Administrative 3 në kryeqytet është bërë rehabilitimi i rrugëve të bllokut që kufizohet nga rrugët "Leandro Zoto" – "Marie Kraja", "Disha" – "Sadik Petrela", Rr.Bardhyl; Rr. “Kujtim Laro”; Rruga "Dalip Topi" (Pyjorja), rruga Kodra e riftit dhe ndërtimi i Rrugës "Disha", nga Brryli – rr. Sitki Çiço – Rr. Arkitekt Sinani, rruga Xhanfize keko – Lulishte ish Tregu Fruta/Perime, si dhe ndërtimi i tregut Fruta Perime – Rr. Xhanfize Keko. Ndërkohë, ndërmarrjet e bashkisë kanë 5-fishuar këto tre vite në krahasim me administratën e mëparshme edhe mirëmbajtjen e rrugëve. Gjithashtu, Bashkia e Tiranës ka realizuar rikonstruksionin e 5 kopshteve, 3 çerdhe, 4 shkolla dhe ka ndërtuar edhe një çerdhe të re.

“Më vjen mirë që kemi arritur të bëjmë një shkollë moderne tek “Luigj Gurakuqi”, kemi rikonstruktuar dhe transformuar shkollën “Kongresi i Lushnjës”, e cila është sot histori suksesi.  Jam shumë i lumtur sepse sapo mbaruam një inspektim te shkolla “Çajupi", një gjimnaz shumë i rëndësishëm i Njësisë 3, të cilit po i shtohet edhe një palestër me të gjitha standardet”, tha mes të tjerave Veliaj.

Një vëmendje të veçantë, Bashkia e Tiranës i ka kushtuar edhe mbështetjes sociale për familjet në nevojë dhe për të rinjtë. Ndërkohë, Veliaj përshëndeti miratimin nga komisionet parlamentare të nismës për ndalimin e pikave të basteve dhe të kazinove.