Transmetuar më 23-10-2018, 20:43

Kryetari i Partisë Demokratike ka akuzuar drejtpërdrejt kreun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, që sipas tij “është autorja e grisjes së fletarrestit për Vangjush Dakon”.

Në një status në Twitter, dhe duke e quajtur Donika Prelën kamikaze të Edi Ramës, Lulzim Basha shkruan se kreu i kësaj prokurorie është duke prishur hetimin ndaj Dakos për shitblerjen e votave në Durrës dhe Shijak.

“Kreu i celulës kriminale te Krimet e Rënda Donika Prela është autorja e grisjes së fletarrestit për Vangjush Dakon. Kamikazja e Edi Ramës po bën gjithçka të prishë hetimin për krimin elektoral të shitblerjes së votave mes Dakos dhe bandave të Durrësit dhe Shijakut”.

Prej kohësh Partia Demokratike vijon me sulmet ndaj organit të akuzës, duke e etiketuar si shërbëtor të qeverisë.

Gjithçka nisi pas caktimit në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, vetëm me votat e mazhorancës, Arta Markun. /k.k/noa.al/