Transmetuar më 02-11-2018, 08:29

Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën e sotme, duke dhënë një informacion të detajuar lidhur me mjetet e vjetra që ndalohen të importohen.

Duke publikuar një video, ai shkruan, “Me këtë videoinformacion rreth vendimit që ndalon importin e makinave me mbi 10 vite vjetërsi për të siguruar ajër më të pastër e shëndet më të mirë për fëmijët tanë e çdo qytetar, ju uroj një ditë të mbarë”.

Në video thuhet se në Shqipëri mjetet Euro 3 përbëjnë 80% të makinave në përdorim dhe se pasojat janë tre herë më shumë ndotje.

Bëhet me dije se një mjet Euro 1 çliron në mjedis 31 herë më shumë grimca të ngurta dhe 12 herë më shumë dioksid azoti, se një mjet Euro 6.

Sqarohet se vendimi parashikon, të ndalohet importimi i automjeteve mbi 10 vjet në përdorim në nëntor 2019.

Gjithashtu lejohet importimi i mjeteve motorike të reja të kategorive M2 dhe N1, 0 km që përmbushin normën Euro 5, importimi i mjeteve të reja me 0 km të paregjistruara në shtet tjetër, importimi i autoveturave të përdorura, jo më shumë se 10 vite para regjistrimit të parë në Shqipëri.

Po ashtu lejohet importimi i mjeteve motorike M2 dhe N1, të prodhuara jo më shumë se 15 vjet para regjistrimit të parë në Shqipëri.

Sakaq vendimi nuk parashikon, ndalimin e automjeteve mbi 10 vjet në përdorim që janë aktualisht në qarkullim, ndalimin e automjeteve me interes historik, koleksionimi, me vlera muzeale apo vlera kulturore.

Në mbyllje thuhet se qëllimi është përmirësimi i cilësisë së ajrit, mbrojtja e shëndetit dhe ekonomisë së njerëzve të zakonshëm. /a.y/noa.al